Zvicër: Në Altstätten u zhvillua “Java e Dialogut Ndërfetar” (FOTO)

Të premten, më 15.09.2017, në qytetin Altstätten – SG, Zvicër,  filloi java e dialogut ndërfetar, apo siç quhet ndryshe “IDA Woche”.

Në këtë aktivitet që organizohet nga kantoni dhe komuna e qytetit, nxënësit e shkollave të Rheintalit patën rastin të njihen më për së afërmi me mësimet e religjioneve të ndryshme që veprojnë në Zvicër.

Pjesë e këtij evenimenti ishte edhe Bashkësia Islame “Al-Shems” në Rebstein. Imami i xhamisë, Enes ef. Koshi, bëri prezantimin e vlerave të fesë Islame pranë nxënësve të shkollave të ndryshme të Rheintalit.

Ata organizoheshin grupe-grupe dhe dëgjonin me vëmendje sqarimet e imamit, ku në fund të vizitës kishin mundësi edhe të bënin pyetje për gjërat që ju interesonin në lidhje me Islamin dhe muslimanët.

Ditën e nesërme, më 16.09.2017 duke filluar nga ora 11:00 deri në 16:00, të gjitha komunitetet fetare pjesmarrëse në këtë organizim, prezentuan para opinionit, religjionin, kulturën dhe traditën e atij komuniteti..

Edhe Bashkësia Islame shqiptare “Al-Shems” në Rebstein, përveç anës fetare, prezantoi edhe kulturën dhe traditat kombëtare të shqiptarëve. Me këtë rast, të gjithë vizitorët kishin mundësi të shijojnë edhe ca ushqime tradicionale shqiptare.

Po ashtu, në këtë aktivitet, mori pjesë edhe grupi i valltarëve nga shoqata kulturore “Shqiponja”, nga Veleshta e Strugës, të cilët u paraqitën para publikut me disa valle të bukura shqiptare.

Në fund, para gjithë të pranishmëve, Bashkësia Islame “Al-Shems” shfaqi një program me nxënësit dhe talebet e mektebit.

Pas recitimit të dy ajeteve kuranore ne gjuhen arabe dhe gjermane, njëri prej nxënësve lexoi në gjuhën gjermane një fragment nga hutbeja lamtumirëse e Muhammedit a.s. Krejt në fund, kori i xhamisë përfundoi programin me një ilahi në gjuhën shqipe.

Mysafir special i këtij organizimi ishte z. Bekim Alimi, udhëheqës i organizatës DIGO, njëherit edhe imam i xhamisë shqiptare në Wil, i cili me fjalimin e tij bëri edhe përmbylljen e këtij aktiviteti.

Zotëri Alimi, në mes tjerash theksoi se në Zvicër jetojnë mbi 450 mijë musliman dhe muslimane, ku një pjesë jo e vogël e tyre jetojnë edhe në Kantonin e St. Gallenit. Duke e parë këtë realitet, u paraqit nevoja që të themelohet një organizatë ombrellë në Zvicrën Lindore që do angazhohet për dialogun ndërfetar dhe për një bashkëjetesë paqësore me të gjithë. Ai tha gjithashtu se shumica e muslimanëve në Zvicër janë mirë të integruar dhe kanë pozicione të ndryshme në shoqëri.

Në fund organizatorët e vlerësuan shumë lart këtë aktivitet dhe falënderuan të gjitha komunitetet fetare për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre në dialogun ndërfetar.

 

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply