Nacionale

Zjarr në Tetovë, humb jetën nëna me katër fëmijë

294views

Pesë persona e kanë humbur jetën gjatë zjarrit që sot në mëngjes përfshiu një shtëpi në Tetovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Sektorit të Punëve të Brendshme – Tetovë, Marjan Josifovski, në një deklaratë për AA konfirmoi rastin, me ç’rast informoi se gjatë zjarrit jetën e kanë humbur pesë persona, gjegjësisht nëna dhe katër persona të mitur.

“Sot rreth orës 5 të mengjesit në SPB-Tetovë është paraqitur se ka zjarr në shtëpinë e 70 vjeçarit S.Z nga Tetova. Në zjarrin, jetën e kanë humbur një grua 39 vjeçare dhe katër persona të mitur të moshës prej 6,9,12 dhe 14 vejç”, deklaroi Josifovski.

Josifovski informoi se zjarri ka shpërthyer në rrugën “Goce Dellçev” nr.185 në Tetovë, ku flakët kanë përfshirë pjesën e epërme të shtëpisë në të cilën gjatë zjarrit ka qenë nëna me katër fëmijët e saj, ndërsa pronari i shtëpisë, S.Z dhe bashkëshortja e tij kanë qenë në pjesën e poshtme të shtëpisë dhe kanë arritur të shpëtojnë.

Po ashtu, zëdhënësi i SPB-Tetovë tha se zjarri tërësisht është lokalizuar dhe vënë nën kontroll, ndërsa tani për tani nuk dihet arsyeja e saktë e shpërthimit të zjarrit.

Prokurori kompetent nga Prokuroria Themelore Publike – Tetovë është në vendin e ngjarjes dhe në bashkëpunim me ekipin hetimor të stacionit policor dhe shërbimit zjarrfikës janë duke kryer hetime.

Është dhënë urdhër për autopsi të kufomave të gjetura dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.