Xhamia Selimije

Kulmi i arkitekturës klasike osmane u arrit në ndërtimin e xhamisë së sulltan Selimit II në Edirne, kryeqyteti i dytë i Perandorisë Osmane.

Kjo xhami u projektua dhe u ndërtua nga kryearkitekti i perandorisë, Mimar Sinani. Ky arkitekt i famshëm, i cilësuar si një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave, e ngriti këtë kompleks të mrekullueshëm, kur ishte mbi 70 vjeç, gjatë viteve 1569-1575, dhe deri në ditën e vdekjes e konsideroi kryeveprën e tij, më madhështore se xhamia “Sulejmanije” e Stambollit.

Ky kompleks xhami, me avlli të dyfishtë, ka dy oborre kënddrejtë me dimensione 64 x 44 m. Xhamia është e pajisur me katër minare, të larta mbi 70 m, më të lartat në gjithë botën islame. Çdo minare ka nga tri ballkone (kazanë, sarefe). Këto minare, që simbolizojnë fuqinë e fjalës, janë elegante dhe punuar me shumë finesë.

Kupola madhështore ka një diametër 31.6 dhe lartësi mbi 54 m. Për dimensione, largësi dhe elegancë elektronike kjo kupolë e mrekullueshme duket sikur celebron unitetin e perandorisë së sulltan Selimit II dhe lëshohet në drejtim të pikave të horizontit. Kupola, pra, simbolizon bashkimin e besimtarëve.

Mihrabi është prej mermeri, ashtu edhe minberi, që ndoshta është më i bukuri i gjithë Turqisë me anët e tij të gdhendura e të shpuara me finesë së azhur. Kamarja e mihrabit është e veshur e gjitha me pllaka majolike të mrekullueshme të Iznikut, sipër të cilave spikasin mbishkrime kaligrafike kuranore, me shkronja elegante të bardha mbi një sfond të kaltër. Dhe lozha perandorake që gjendet në këndin jug-perëndimor është zbukuruar madhërisht me pllaka majolike të mahnitshme. Çezma për abdes gjendet në qendër të oborrit të nderit, rezervuar atëherë për procesione perandorake. Tribuna e myezinit gjendet në mes të sallës së faljes dhe përbëhet nga një platformë e mbajtur në kolona kënddrejta që qëndrojnë mbi një shtresë mermeri në mes të shatërvanit të mrekullueshëm.

Medreseja është ngritur në këndin jug-lindje të oborrit, ndërsa shkolla e lartë (Darul Hadith) në këndin jug-perëndimor. Këndi perëndimor është zënë plotësisht nga një galeri tregtie (Kavaflar Arasta) që përbëhet nga 124 dyqane, ku një kohë punonin fabrikuesit e këpucëve.

Sot medreseja strehon muzetë arkeologjikë dhe etnografikë, ndërsa shkolla e lartë kuranore është muzeu i arteve turke islame.

Në koleksionin etnografik janë ekspozuar qëndisje osmane, qilima, armë të vjetra, monedha, veshje të mrekullueshme osmane dhe pajisje shtëpie. Koleksioni arkeologjik ekspozon xhevahire të ndryshme të vjetra, qeramika, enë balte të pjekur, monedha, skulptura e fragmente arkitektonike.

Në shkollën e lartë kuranore janë ekspozuar mbishkrime monumentesh osmane të shembur, pajisje kuzhine, panele qeramike, kopje dorëshkrimesh të Kur’anit, qëndisje, armë të vjetra dhe xhama, të gjitha të epokës osmane. Këtu mund të admirosh edhe disa pajisje që një kohë i përkisnin teqesë së dervishëve mevlevi si: medaljon, kupa ilaçesh kuruese, mbishkrime të realizuar nga dervishë kaligrafë të shquar, etj. Në kopshtin e muzeut të arteve turko-islamike, në qendër të oborrit gjenden gurë varresh të vjetër osmanë.

Sinani i madh, në mes qindra objektesh ndërtuar prej tij, xhaminë “Selimije” në Edirne e mbante mbi të gjitha dhe për kupolën e saj madhështore ka thënë: “Arkitektët më në zë të vendeve të krishtera perëndimore thonë se arkitektët osmanë nuk kanë ndërtuar asgjë të krahasueshme me kupolën e Aja Sofis (Shën Sofisë). Me ndihmën e të Plotfuqishmit dhe përkrahjen e sulltanit, arrita të ndërtoj për Selimijen një kupolë që e kalon katër pëllëmbë në diametër dhe gjashtë pëllëmbë në lartësi atë të Aja Sofisë”.

A. Fevziu /dritaislame/

Artikuj të ngjashëm: