Xhami

Xhamia moderne nëntokësore, fituese e shumë çmimeve me dizajnin e saj të veçantë

735views

Xhamia Sancaklar në rajonin Büyükçekmece të Stambollit e cila përngjan me një shpellë dhe mahnit vizitorët me arkitekturën e saj, vazhdon të magjepsë me emrin e saj për çmimet që ka fituar në platformat ndërkombëtare, shkruan Anadolu Agency (AA).

Xhamia e Sancaklar, e cila ka një hapësirë të mbyllur prej 1.200 metrash katrorë e ndërtuar mbi një sipërfaqe prej 7.400 metra katrorë në Büyükçekmece të Stambollit nga Fondacioni Sancaklar është projektuar me kujdes duke nisur nga esenca islame që ajo të jetë e thjeshtë dhe modeste.

Karakteristika më e madhe e xhamisë së projektuar nga arkitekti Emre Arolat, i cili e ndan atë nga xhamitë e tjera është sipërfaqja e saj e pjerrët e cila jep përshtypjen se ndodhet në nëntokë.

Po ashtu veçoritë e tjera që e dallojnë xhaminë Sancaklar nga strukturat e tjera fetare është se ajo ka një minare drejtkëndore, drita të veçanta led, ndriçimi nëpërmjet dritës që hyn nga muri i mihrabit, radhët në formë shkalle, përdorimi i gurëve natyralë dhe të bazaltit si dhe mospërdorimi i bojërave kimike.

Gjithashtu xhamia nuk është vetëm një vend për adhurim, në të njëjtën kohë ajo ka një bibliotekë të pasur ku qytetarët mund të lexojnë dhe shkëmbejnë pikëpamjet e tyre.

– Dizajni ndryshe i saj ka marrë çmimet më prestigjioze

Xhamia Sancaklar me dizajnin e saj të ndryshëm është vlerësuar me shumë çmime, ku në vitin 2011 ka marrë çmimin “projekti i së ardhmes” në Festivalin Botëror të Arkitekturës të mbajtur në Barcelonë në vitin 2013, në Festivalin Botëror të Arkitekturës në Singapor ka marrë çmimin e parë në botë në kategorinë “strukturat fetare” ndërsa në vitin 2014 xhamia është vlerësuar me një çmim nga Dhoma e Arkitektëve.

Në vitin 2015 dizajni i saj është ekspozuar në mesin e ndërtimeve finaliste në Përzgjedhjen e Projektit të Vitit nga Muzeu i dizajnimit në Londër. Po ashtu në të njëjtin vit ajo është përzgjedhur si një nga 40 objektet më të mira në mesin e çmimeve evropiane Mies Van Der Rohe.

Xhamia Sancaklar e cila është fituese e çmimit “objekti më i mirë fetar i vitit” të Shoqatës Botërore Arkitekturoe WAC, së fundmi ka marrë çmimin Përsosmëri Ndërkombëtare nga Royal Institute of British Architects (RIBA) dhe ajo është vlerësuar një nga 20 strukturat më të mira.

Imami i xhamisë Sancaklar, Ali Elmacı, në një deklaratë për AA bëri të ditur se ndërtimi i xhamisë ka nisur në vitin 2011 dhe se ajo është hapur në xhumanë e parë të vitit 2014. “Ka një interes shumë të lartë për xhaminë tonë, ajo vizitohet nga njerëz që vijnë nga Gjermania, Britania e Madhe, Amerika dhe Italia. Shumë njerëz vijnë me qëllim për ta vizituar, po disa të tjerë preferojnë xhaminë për programe të ndryshme”, tha Elmacı.

“Në xhaminë tonë nuk ka zbukurime që shfaqen në xhamitë e tjera. Edhe tapetin e kemi të thjeshtë, ajo ka një dizajn ndryshe, ku dhe disa njerëz ndjehen të lumtur kur e shohin. Po ashtu ka edhe nga ata që japin kritika se nuk duhet larguar nga struktura arkitekturore e të kaluarës. Ndërsa brezi i ri e pëlqen dhe viziton për shkak të dallimit të saj nga të tjerat”, thotë Elmacı.