Trashëgimi

Xhamia e Sulejman Pashës

Xhamia e Vjetër, rreth të cilës u formua bërthama e qytetit të Tiranës, ishte ndërtuar në vitin 1614, nga themeluesi i qytetit, Sulejman Pashë Bargjini. Ajo u dogj gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe këtë e njohim nga dokumentacioni fotografik i kohës, piktura e gravura të kohës, si dhe nga ndonjë skicë planimetrike e përafërt. Xhamia e Vjetër përbëhej nga salla e lutjeve, portiku dhe minarja.

Salla e lutjeve ishte në plan drejtkëndor dhe mbulohej me çati druri e tavan dërrasash. Në sallë hyhej nga një portë e vetme në anën veriore, përballë së cilës ishte mihrabi, me prerje gjysmërrethi dhe mbuluar me stalaktite në pjesën e sipërme si dhe minberi mbi struktura mbi struktura druri. Salla ndriçohej nga dritare të shumta. Ato ishin deri në dy rreshta në anën jugore, në të dy anët e mihrabit, kurse nga tri në dy rreshta, në murin lindor dhe nga dy në dy rreshta në murin perëndimor në pjesën që lë bosh minarja. Edhe në murin verior, anash portës për në sallë, kishte dy drita dhe tri të tjera në katin e dytë të portikut, që ishte në rolin e mafilit. Dritaret e poshtme ishin drejtkëndore, ndërsa të sipërmet, mbuluar me hark të mprehtë. Brendësia ishte e gjitha e pikturuar dhe, siç pamë, ndriçohej bollshëm nga numri i madh i dritareve. Brendësia bëhej dhe më interesante nga zbukurimi me piktura i mureve, tavani i pikturuar dhe nga dritaret me xhama të ngjyrosur edhe me skelet allçie.

Një element përbërës me rëndësi ishte dhe portiku. Ai ishte dykatësh, i rrethuar nga një sistem arkadash të mbyllura me xhama, por që dikur ishin krejt të hapura në katin e poshtëm dhe me kangjella në të sipërmin. Portiku kishte tre arkada në pjesën perëndimore, gjashtë në atë veriore dhe shtatë nga lindja. Harqet ishin gjysmërrethi dhe mbështeteshin mbi kapitele të stiluar dhe shtylla guri. Pjesa e sipërme e mureve të sallës së lutjeve, ashtu si dhe arkada e poshtme, ishin të zbukuruara me piktura me motive bimore e pamje qytetesh.

Minarja e xhamisë, për të cilën thuhet se është ndërtuar nga Ahmet Pasha, i biri i Sulejman Pashës, përbëhej nga bazamenti tetëfaqësh, trupi prej 16 kanelyrash.

Në jug të xhamisë ishte tyrbja ku ishte varrosur Sulejman Pasha. Ishte një ndërtesë e ulët me vëllim paralelopipedik mbuluar me çati druri dhe e zbukuruar në anën e jashtme me piktura si dhe vetë xhamia.[1]

Aleksandër Meksi  /dritaislame/

—————————————————————————————————————–

[1] Marrë me shkurtime nga libri “Xhamitë e Shqipërisë, historia, arkitektura, shek. XV-XIX.