Hutbe

Viti i Ri, Krishtlindja, Baba Dimri, çka të thuhet?

582views

Të dashur vëllezër,

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë;

Në hutben e sotme, me lejen e Allahut, do të flasim në temën: Viti i ri, krishtlindja, Babadimri, çka të thuhet?

Ne si muslimanë përballemi me sfidat e kohëve moderne dhe natyrisht ne aty duhet të përshtatemi, por në një mënyrë të lejuar që me veprimet tona mos të bëjmë mëkat.

Falënderojmë Allahun e Plotfuqishëm që e ka bërë fenë tonë të lehtë, por edhe fleksibile, që do të thotë, se feja jonë mund të jetojë në çdo kohë.

Praktika e Pejgamberit savs, si dhe këshilla e tij për delegatët e tij ka qenë gjithmonë: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni!
Përgëzoni dhe mos largoni!” (Muttefekun alejhi nga Buhariu dhe Muslimi).

Le të shikojmë se çka na thotë Pejgamberi savs:

„Feja më e dashur tek Allahu është ajo që është e butë dhe e lehtë!“

„Kjo fe është e lehtë dhe kushdo që garon me të, do të mposhtet prej saj, andaj, bëjuni të moderuar dhe afroni (njerëzit në të)!“

Pra, para së gjithash, duhet t’i sqarojmë disa gjëra rreth këtyre termave:

Krishtlindja shënon festën e krishterë, dhe sipas të krishterëve ajo e shënon lindjen e Jezusit, apo të Isait (a.s.). Mirëpo vetë fjala Krisht do të thotë si zot i vogël, përkatësisht, sipas mësimeve të tyre, kjo do të thotë ‘djali i zotit’ (neudhubil-lah) dhe ky është shkaku kryesor pse ata devijuan nga rruga e drejtë, për arsye se atyre Isai (a.s.) ju erdhi me shpallje që të besojnë në Allahun e Plotfuqishëm si i vetmi Zot, mirëpo ata e shtrembëruan dhe e devijuan këtë besim të tyre.

Termi i dytë i lidhur ngushtë me Krishtlindje është Babagjyshi – Babadimri, një gjysh i vjetër me mjekër të madhe i cili jep dhurata.

Karakteri i Babadimrit është i lidhur direkt me një misionar të krishterë, më vonë të quajtur Shën Nikolla. Me kalimin e kohës, ky karakter u bë kaq popullor saqë tani është një markë botërore.

Mirëpo, ai aq shumë ka depërtuar në zakonet tona, sa që është bërë pjesë e pandashme e shkollës, televizionit, etj, dhe njeriu edhe nëse insiston nuk do të mund të shpëtojë prej tij, dhe kështu fëmijët qysh nga mosha e re në shkollë pikërisht për Krishtlindje marrin dhurata (pako) nga Babadimri.

Për të qenë e qartë, nuk ka asgjë të keqe në faktin nëse fëmijët marrin dhurata, dhe duhet të marrin, por në çfarë mënyre? Në një mënyrë, p.sh. në fund të vitit apo të semestrit shkollor që mësuesi ose prindi tu ndajë fëmijëve dhurata për suksesin e tyre, si shpërblim, dhe kjo do të ishte plotësisht në rregull, mirëpo pse në këtë të përzihet Babadimri.

Kam dëgjuar, p.sh. në Slloveni, e cila është vend i pastër krishterë, Babadimri nuk ndan dhurata në shkollë, por kush dëshiron ta praktikojë këtë, shkon në ndonjë vend të caktuar, jo në shkollë.

Ajo që është e rëndësishme në këtë rast, pse t’i gënjejmë fëmijët, tu thuhet se ekziston Babadimri, i cili madje fëmijëve ua përmbushë dëshirat?

Pse t’ua themi këtë fëmijëve dhe t’i bindim duke i gënjyer, ndërsa e kemi për detyrë, dhe për të mirën e fëmijëve tanë që t’i mësojmë ta besojnë Zotin, Allahun, i Cili me siguri ekziston dhe i Cili është i Vetmi që mund t’i përmbushë dëshirat dhe nevojat tona, të Cilit më në fund të gjithë i drejtohemi kur jemi në vështirësi, kur na godasin belatë.

Kur kemi dhembje, kur vuajmë nga ndonjë sëmundje, kur edhe mjeku nuk mund të na ndihmojë, a themi atëherë: „Na ndihmo o Babadimër!“ apo themi: „O Zot i dashur, o Allah, na ndihmo, sepse vetëm Ti mund të na ndihmosh dhe askush tjetër!“

Prandaj, saktësisht këtë t’ua mësojmë fëmijëve tanë, që të besojnë në Allahun, në engjëjt e Tij, dhe se vetëm Allahu i përmbush dëshirat tona, e jo Babadimri.

Viti i Ri, përkufizohet si nata më e çmendur e vitit. Ësht interesante, se sa shumë rëndësi i jepet kësaj nate, sa që edhe bëhen kursime dhe përgatitje të veçanta për ta kaluar natën më të çmendur të vitit. Aq shumë shpenzohet në atë natë, sa që netët dhe ditët tjera pastaj bëhen të hidhura për shkak të shpenzimit të asaj nate.

Ta lëmë këtë menjanë, por nëse e marrim parasysh se për këtë natë shpenzohen sasi të pabesueshme të alkoolit, vetëm për shkak se kjo është nata më e çmendur i vitit, dhe kinse atëherë çdo gjë është e lejuar, kaq shumë njerëz të rinj të dehur, madje edhe fëmijë. Dhe pastaj ditën tjetër dëgjojmë për pasojat (lëndime, aksidente, grindje, etj) dhe të gjitha këto si pasojë e natës më të çmendur, përkatësisht, si pasojë e alkoolit dhe të ngjashme.

Kur i mbledhim të gjitha këto, sidomos kur i shikojmë nga ana fetare, se sa mëkate bëhen në atë natë, edhe nga ana ekonomike sa shpenzojnë njerëzit, sa shpenzojnë nga ajo që thonë „nuk kemi“ etj., a ia vlen? Pse të mos jetë edhe kjo si çdo natë tjetër.

Nuk ka asgjë të keqe në këtë, që të mblidhet familja, miqtë për tu bashkuar si dhe në çdo rast tjetër, kur mund të mblidhen, që edhe është e lavdërueshme, vetëm të mos kalohen kufijtë e lejuar, sepse jeta kalon shpejt, njerëzit kanë pak kohë të lirë për shkak të obligimeve të punës, prandaj është e mundur që kjo periudhë të shfrytëzohet për tubime të dobishme, mirëpo kur aty përzihet alkooli, atëherë mund të ketë përfundim fatal, dhe në vend të bisedës së mirë, kthehet në grindje e të ngjashme.

Le ta kujtojmë hadithin ku Pejgamberi savs thotë:

“Do ta ndiqni rrugën e atyre që kanë qenë para jush pëllëmbë pas pëllëmbe, krah pas krahu, madje sikur ata të hyjnë në vrimë të hardhucës, ju (edhe atje) do t’i ndiqni.” Thanë: “O i Dërguari i Allahut, a janë ata (që do t’i ndjekim) çifutët dhe të krishterët? Pejgamberi (savs) tha: “Po kush (nëse nuk janë ata)?!” (Hakimi)

Është interesante se ne, popujt tjerë i ndjekim në të gjitha gjërat, me përjashtim të atyre gjërave të cilat nuk do të duhej, pse nuk i ndjekim në shkencë, arsim, në përparimet teknologjike, ja p.sh. ata e kanë bërë raketën që mund të shkohet në hapësirë, kurse ne muslimanët nuk e kemi bërë një makinë që mund të shkojmë në një tjetër qytet. Mirëpo, kur është fjala për disa gjëra të shëmtuara, ato ne të gjithë i kopjojmë shumë shpejt.

Duke pasur parasysh se ne muslimanët jemi në kontakt me jomuslimanët, sidomos nëpër botë, atëherë si duhet të veprojmë me urimin festave të tyre?

Për këtë çështje, dijetari më i famshëm i kohës sonë, Jusuf el-Kardavi thotë: “Nuk ka asnjë pengesë që në rrethana të tilla muslimani ose qendra islame t’ua urojë me gojë ose me kartolinë ku nuk përmban simbole apo fraza fetare që janë në kundërshtim me parimet e Islamit, siç është kryqi, sepse Islami e mohon vetë idenë e kryqit. Frazat e zakonshme të urimeve në situata të ngjashme nuk përmbajnë asnjë miratim të besimit të tyre, as nuk shprehin kënaqësi me të. Gjithashtu, nuk ka pengesë që të mirren dhurata prej tyre dhe t’ua kthejmë atyre me të njëjtën masë. Pejgamberi savs ka pranuar dhurata nga jomuslimanët, siç është dhurata e El-Mukavkisit, udhëheqësit e Koptëve egjiptianë, me kusht që ato dhurata të mos përmbajnë asgjë që është e ndaluar për muslimanët, siç është alkooli dhe mishi i derrit.

Pra, ne lirisht mund t’i përgëzojmë ata në atë mënyrë që tu themi si p.sh. Urime festën tuaj! E të ngjashme, sepse me këtë ne tregojmë respekt për ta.

Vëllezër të dashur,

Le të mendojmë për këto gjëra, le të kujdesemi si do të na kalojë kjo natë e Vitit të Ri, në kuptimin që atë natë të mos bëjmë asnjë mëkat, sikur edhe ditëve dhe netëve të tjera.

Le ta shfrytësojmë këtë periudhë, kur familja jonë dhe miqtë janë të lirë nga angazhimet e punës, për ta vizituar njëri-tjetrin, për tu shoqëruar dhe për biseda. Atëherë këto festa janë shfrytëzuar në mënyrë ideale, dhe nuk ka diçka të keqe në to, por përkundrazi.

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm që na bëjë pasues të mirëfilltë të Islamit, që të jemi krenarë me fenë tonë, kurse të tjerat t’i çmojmë dhe respektojmë.
Refrencë: Adis Mahmiq; imam.ba
Përshtati: Miftar Ajdini