Islamisitikë

Vërtetë, me vështirësinë është edhe lehtësimi

547views

Derisa ishte në Bagdad, Ebu Dherri shumicën e kohës e kalonte duke mësuar nga hoxha i tij, Omer bin Ahmedi.

Me një rast Ebu Dherri po i lexonte hadithe hoxhës tij, ndërkohë që të dy ishin ulur në dyqanin e parfumeve, kur aty pranë kaloi një tregtar shëtitës i parfumeve. Meqenëse nuk kishte dyqan të vetin, ky tregtar donte të blinte parfume nga pronari i dyqanit, ku hoxha dhe nxënësi ishin ulur, dhe pastaj do të shkonte në treg duke u përpjekur për t’i shitur. Ndryshe nga tregtarët e tjerë shëtitës, të cilët ishin të fortë dhe të qëndrueshëm, ky ishte i moshës së mesme dhe i dobët. Pronarit të dyqanit ia ofroi 10 dërhemë dhe i tha: “Më jep atë sasi të atij dhe këtë sasi të këtij parfumi.” Kur e përfunduan shkëmbimin, tregtari u nis për të dalë nga dyqani me një tabak të mbushur me shishe parfumi. Por pasi i bëri vetëm disa hapa u ngatërrua dhe të gjitha shishet i ranë në tokë, ku shumica e tyre u thyen. Njeriu qau, gjë që e tërhoqi vëmendjen e hoxhës, Omer bin Ahmedit dhe nxënësit të tij, Ebu Dherrit, të cilët ishin të zënë duke mësuar së bashku në fund të dyqanit.

Duke parë çka ndodhi, hoxhës i erdhi keq për njeriun. Duke iu drejtuar pronarit të dyqanit, ai tha: “Ndoshta mund ta ndihmojmë pak.” Pronari, nga respekti ndaj hoxhës, doli në rrugë, i mblodhi shishet e plota, pastaj ia pagoi të hollat për ato që u thyen. Duke dashur ta ngushëllonte shitësin, hoxha u afrua dhe i tha: “Mos u mërzit, gjërat e kësaj bote nuk meritojnë të shqetësohemi për to.”

“O Hoxhë, humbja e këtyre gjërave nuk më ka pikëlluar,” tha njeriu. “Allahu e di se unë kam qenë në filan karvanin, dhe gjatë rrugës e kam humbur një çantë, në të cilën kam pasur 4.000 dërhemë dhe disa gurë të çmuar, në vlerë të parave të humbura. Menjëherë pas kësaj, gruaja ime ma lindi një djalë, dhe kishte nevojë për para për tu kujdesur për veten e saj dhe për fëmijën. Prej parave më mbetën vetëm 10 dërhemë, dhe kisha frikë se nëse ia jap asaj ato që më mbetën, nuk do të kisha me çka ta filloj punën. Dhe unë jam plakur e nuk mund të gjej aq lehtë ndonjë punë. Kjo është arsyeja, pse unë dola me idenë se mund të blej disa parfume me paratë e mbetura, dhe t’i shes për të fituar, pastaj me ato të holla mund ta furnizoja familjen time, dhe të më mbesin para e të punojë me to. Kështu unë përfundova në këtë dyqan. Kur shishet u thyen, kisha frikë se unë do të duhej të largohesha nga familja ime, të cilën nuk do të isha në gjendje ta mbaja. Dhe kjo më bëri të pikëlluar.”

Kur kjo ndodhi, një ushtar ishte ulur aty pranë dhe dëgjoi gjithçka që biseduan ata. Pasi që e dëgjoi tregimin e plakut, ushtari u kthye kah hoxha dhe i tha: “O hoxhë i nderuar, ma sillni këtë njeri tek unë në shtëpi.” Të gjithë menduan se ose nuk po i besonte plakut dhe donte ta ndëshkonte ose ndjehej keq për të dhe dëshironte ta ndihmonte. Ai foli me një zë urdhërues e plot respekt, dhe në vend se ta pyesin për qëllimin, thjesht e ndoqën deri në shtëpinë e tij. Pasi hynë brenda, ushtari u kthye kah plaku dhe i tha: “A vërtet ti ishe në filan karvanin?”

Plaku tha: “Po, kam udhëtuar me këta dhe këta njerëz.”

Ende duke dyshuar, ushtari e pyeti: “Ma përshkruaj pak çantën të cilën e ke bartur? Dhe ku e ke humbur?

Plakut iu nevojit një minutë për ta përshkruar çantën, e pastaj ushtari e pyeti: “Nëse e sheh, a do ta kishe njohur?”

“Natyrisht,” tha plaku.

Ushtari pastaj e nxori çantën dhe e vendosi para plakut, i cili, menjëherë pasi e pa, bërtiti me gëzim: “Me të vërtetë, kjo është çanta ime!”

Për ta hequr çdo gjurmë dyshimi, plaku i përshkroi në detaje gurët e çmuar që ishin brenda në çantë. I bindur në të vërtetën, ushtari tha: “Merri paratë tuaja dhe gurët e çmuar, Allahu të dhashtë nafakë në to.” Plaku u përgjigj: «Mi jep mua të hollat, kurse ti merri gurët e çmuar, sepse me të vërtetë vlera e tyre është e barabartë me vlerën e parave në çantë. Të lutem, mos më refuzo, sepse po t’i jap me gjithë zemër dhe pa keqardhje.»

Ushtari u përgjigj: “NUK MUND T’I MARR, SEPSE NUK KA ASGJË TË MIRË NËSE UNË I MARR PARATË PËR DETYRËN QË MË ËSHTË BESUAR SI USHTAR.”

Ushtari ia dha paratë plakut i cili hyri në shtëpinë e tij si i varfër dhe doli si i pasur.

I përkryer është Allahu, i Cili ju jep lehtësira atyre që kanë nevojë?
“E, me të vërtetë, me vështirësinë është edhe lehtësimi.” (el-Inshirah, 5-6)

IslamBosna.ba; Përshtati: Miftar Ajdini