Etikë

Veprimet e pëlqyera në marrëdhëniet burrë – grua

Gjatë hyrjes në një institucion kaq të rëndësishëm si martesa, duhet të udhëhiqemi me ato norma të sjelljes që i ka përdorur krijesa më e mirë, i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem.

Zgjedhja e bashkëshortit është shumë e rëndësishme, sepse nga ajo zgjedhje varet lumturia ose palumturia. I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Katër gjëra e përbëjnë lumturinë (në këtë botë): gruaja e ndershme, shtëpia e gjerë, fqinji i mirë dhe mjeti i rehatshëm i udhëtimit.”

Faktorë të shumtë ndikojnë në zgjedhjen e bashkëshortit. Nganjëherë është bukuria, pasuria, autoriteti familjar, ndërsa ndonjëherë karakteri, morali dhe feja e njeriut. I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem na porosit që në zgjedhjen tonë të mbizotëroj kjo e fundit, sepse nëse feja dhe morali nuk merren në konsideratë, shumë shpejtë mund të ndodh palumturi në jetën bashkëshortore. Sa herë e kemi dëgjuar pyetjen: ‘A e ke ndonjë mikë që të më merr jashtë kufijve që të më largojë nga kjo varfëri?’ Apo, ‘si qoftë të jetë, vetëm të largohem na këtu.’ Dhe kështu largohen për ta mbush stomakun me bukë përmes rrugës më të lehtë, duke mos menduar mjaftueshëm nëse personi me të cilin lidhen i posedon cilësitë e duhura apo jo, prandaj si pasojë shpejt ndodh shkurorëzimi, Allahu na ruajt, dhe mandej ia fillojnë të flasin për njëri-tjetrin.

Besimtari duhet ta bëjë folenë e tij familjare në emër të Allahut dhe ta ketë qëllimin e tij të bukur, sepse martesa nuk është vetëm për pak ditë, por synon bashkësinë e përjetshme. Gjëja më e rëndësishme kur lidh martesë është ofrimi dhe pranimi. Me rastin e dasmës Sunnet është që të bëhet ndonjë ceremoni, ku të afërmit, miqtë dhe mysafirët e tjerë do ta nderojnë me pjesëmarrje. Personi i thirrur në dasmë, është i detyruar t’i përgjigjet thirrjes nëse nuk ka pengesa apo dyshime sheriatike.

Marrëdhënia midis burrit dhe gruas, sidomos pjesa intime, në Islam është rreptësishtë e natyrës personale. Bashkëshortët e kanë rreptësishtë të ndaluar t’ua përshkruajnë marrëdhënien e tyre të tjerëve.

Islami i ka përcaktuar parimet dhe udhëzimet themelore për bashkëshortët, dhe nëse ata respektohen, me të drejtë mund të shpresojnë që Allahu ata dhe pasardhësit e tyre t’i udhëzojë në rrugën e drejtë dhe t’i mëshirojë dhe ta bëj martesën e tyre të bereqetshme.

Bashkëshortët nuk lejohen të kenë marrëdhënie seksuale gjatë të përmuajshmëve si dhe marrëdhënie anale.

Islami ka caktuar detyra dhe të drejta reciproke për çdo bashkëshort. Nga detyrat e bashkëshortëve janë dhembshuria, dashuria dhe vëmendja e ndërsjellë, sepse Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë.” (Er-Rum, 21)

Të dy duhet t’u përmbahen rregullave islame, të konsultohen dhe ta ndihmojnë njëri-tjetrin, dhe së bashku t’i rrisin fëmijët e tyre në frymën e Islamit.

Burimi: Akos.ba

Përktheu: Lutfi Muaremi

(Breziiri)