Vazhdon persekutimi ndaj muslimanëve të Arakanit

Muslimanët e Arakanit të cilët arritën në Bangladesh tregojnë se po vazhdojnë persekutimet e budistëve fanatikë dhe të ushtrisë në Mianmar kundër civilëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit në mediat e Bangladeshit, përkundër deklaratës së 19 shtatorit të ministres së Punëve të Jashtme të Mianmarit, Aung San Suu Kyi, ku pretendoi se që nga 5 shtatori e deri më tani në Arakan nuk po realizohen operacionet, muslimanët e Arakanit treguan se po vazhdon persekutimi në Mianmar.

Muslimanja e Arakanit Ummu Gulsum e cila ka arritur të shtunën në bregdetin Shah Porir Dwip, në kufi të Bangladeshit me Arakanin thotë se: “Ushtria e vrau burrin tim të mërkurën e javës së kaluar. Unë i mora me vete fëmijët dhe u fsheha. Gjatë dy ditëve jetuam vetëm duke pirë ujë. Pasi menduam se gjendja ishte qetësuar vendosëm të kthehemi në shtëpinë tonë, por ushtria përsëri erdhi të shtunën dhe e shkatërroi gjithë fshatin tonë. 4 fëmijët e mi i dërgova në kampin Kutupalong. Tani këtu (Shah Porir Dwip) po pres që të vijnë të afërmit e mi.”

Edhe Nur Beshar e cila jeton në Shah Porir Dwip, disa kilometra larg prej Mianmarit thotë se “Ushtria e Mianmarit në pasditen e së dielës vuri në zjarr shtëpitë e muslimanëve të Arakanit dhe vrau civilë të shumtë. Po ashtu ata kanë zhytur varkën e shpëtimit në pjesën e Mianmarit.”

Beshar thotë se muslimanët e Arakanit gjatë tërë ditës fshihen në fushat malore dhe se në orët e mbrëmjes kalojnë në Bangladesh.

Qytetarët e Shah Powir Dwip thonë se tymi i dalë nga shtëpitë e djegura të dielën në Arakan, shihet ende nga pjesa tjetër e lumit.

Në muajin e fundit 200 fshatra të muslimanëve u shkatërruan

Në pamjet e marra nga satelitët nga organizatat e shoqërive civile, zbulohet se së paku 200 fshatra të muslimanëve në Arakan janë shkatërruar duke i vënë në zjarr. Por ka shqetësime se numri i fshatrave të djegur është më i madh nga ai i treguar.

Në sulmet e ushtrisë së Mianmarit të kryera në Arakan nën pretekstin e luftimeve me militantët e armatosur, mijëra muslimanë janë vrarë që nga 25 gushti. Për shkak të mos lejimit të hyrjes ose daljes nga zona, është e pamundur të përcaktohet bilanci i saktë i civilëve të vrarë.

Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit po përpiqen të arratisen nga zonat e sulmit në mënyrë që të shpëtojnë. Civilët që iknin nga Mianmari, duke kaluar në zonat malore, lumin Naf ose përmes detit përpiqen të arrijnë në Bangladesh.

Që nga 25 gushti më shumë se 436 mijë muslimanë të Arakanit kanë kaluar në Bangladesh.

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply