Globus

Vazhdon enigma për kthimin në shtëpi të muslimanëve të Arakanit

104views

Qeveria e Mianmarit ka filluar procesin për rikthimin e rreth 450 banorëve Hindu të Arakanit të cilët kanë kaluar në Bangladesh për shkak të ngjarjeve të dhunshme të vazhdueshme në rajonin e Arakanit që prej 25 gushtit, por nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për muslimanët e Arakanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmeve në shtypin lokal, ministri i Mirëqenies Sociale, Ndihmës dhe Zhvendosjes i Mianmarit, Win Myat Aye, ka njoftuar se qeveria e vendit ka planifikuar rikthimin në territoret e tyre deri më 22 janar të një grupi rreth 450 Hindu të cilët kanë kaluar në Bangladesh pasi janë larguar nga ngjarjet e dhunshme në rajonin e Arakanit.

Ndër të tjera ministri ka shtuar se në zonat Taungpyoleiwei dhe Ngakhuya në pjesën veriore të Arakanit janë ndërtuar kampe për ata që rikthehen në vend.

Gjithashtu në anën tjetër theksohet se qeveria e Mianmarit i ka dërguar qeverisë së Bangladeshit kërkesat ose dokumentet e konfirmimit për qytetarët Hindu të Mianmarit, ndërsa për muslimanët e Arakanit nuk ka ndërmarrë ndonjë hap.

– Loja e “dokumentacionit” e qeverisë së Mianmarit

Qeveria e Bangladeshit shpeshherë ka bërë thirrje për rikthimin e muslimanëve të Arakanit të territoret e tyre. Në kuadër të kësaj më 23 nëntor mes qeverive të Mianmarit dhe Bangladeshit u nënshkrua një marrëveshje.

Sipas marrëveshjes, personat që dëshirojnë të rikthehen në Miamar janë të detyruar që të paraqesin dokument se kanë jetuar në Mianmar para se të kalonin në Bangladesh, por muslimanët e Arakanit nuk janë të regjistruar në Mianmar për shkak se në vitin 1982 atyre iu hoqën të drejtat e shtetësisë.

Ndërsa theksohet se duhet të kalojnë në procesin e “miratimit” të qeverisë së Mianmarit edhe dokumentet e dhëna në këtë vend ndaj muslimanëve të Arakanit që kanë kaluar në Bangladesh. Ndaj marrëveshjes në fjalë kanë reaguar edhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut gjë e cila është komentuar se “qeveria e Mianmarit po përpiqet të shmanget nga presionet ndërkombëtare”.

– Spastrimi etnik i muslimanëve të Arakanit

Ushtria e Mianmarit me pretekstin e militantëve të armatosur më 25 gusht nisi një valë masive dhune kundër muslimanëve të Arakanit. Sipas të dhënave të Organizatës Mjekët pa Kufij (MSF) që nga 25 gushti e deri më tani janë vrarë rreth 6.700 muslimanë.

Nga Arakani ku janë djegur qindra fshatra, ende një numër i madh personash përpiqen të largohen për shkak se nuk kanë siguri për jetën. Qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e ndihmave humanitare për muslimanët që përpiqen të kalojnë nëpërmjet rajoneve malore, lumenjve dhe detit në Bangladesh.

Një numër i madh i qytetarëve të Arakanit kanë humbur jetën gjatë rrugëtimit të largimit për shkak të sëmundjeve dhe vështirësive të tjera.

Parashikohet se në Arakan në vitet 1970 jetonin rreth 2 milionë muslimanë, por si pasojë e spastrimit etnik të kryer me sulme sistematike kjo shifër është ulur nën 350 mijë.