Globus

“Vazhdojnë vrasjet ndaj muslimanëve në Arakan”

294views

Një nga themeluesit e Këshillit Evropian të Rohingyave (ERC) Ibrahim Mohamed tha se ende vazhdojnë vrasjet, përdhunimet dhe kërcënimet ndaj muslimanëve në Arakan, si dhe djegia e fshatrave të tyre.

Mohamed për marrëveshjen e arritur ndërmjet qeverive të Mianmarit dhe Bangladeshit, si dhe zhvillimet e fundit në lidhje me krizën në të cilën ndodhen muslimanët e Arakanit, u prononcua për Anadolu Agency (AA). Ai e ka quajtur shqetësuese marrëveshjen mes dy vendeve për kthimin e muslimanëve të Arakanit.

“Para së gjithash, duhet të mendojmë përse muslimanët e Arakanit kanë ikur në Bangladesh. Banorët e Arakanit lanë shtëpitë dhe fshatrat e tyre dhe erdhën në këtë vend për të shpëtuar. Nuk ka anë të mirë në dërgimin e këtyre njerëzve në zonën e konfliktit. Do të jemi të lumtur të kthehen në shtëpi. Por, ata duhet të kthehen përmes një procesi ku do të përfshihen Kombet e Bashkuara (OKB) dhe bashkësia ndërkombëtare. Aktualisht, nuk shohim kurrfarë sigurie në Mianmar”, tha ai.

Ai shtoi se janë në kontakt me muslimanët që kanë mbetur në Arakan dhe se nga ata informohet se si ende vazhdon tirania ndaj muslimanëve.

“Ende ka djegie, vrasje, përdhunim dhe kërcënime. Është e qartë se qeveria e Mianmarit bëhet e shurdhër ndaj krizës dhe vazhdon të punojë siç u thotë mendja”, tha Mohamed.

Ai është në kontakt të përditshëm me vëllain e tij në një fshat të Arakanit, i cili i ka thënë se shumica e fshatarëve kanë ikur.

“Qeveria e Mianmarit po shkatërron shtëpitë dhe shkollat ​​fetare. Kur dikush vjen nga jashtë, ata i thonë se këtu nuk ka patur asnjë fshat. Ata duan që muslimanët e Arakanit që kthehen në Mianmar të jetojnë në kampe”, tha ai.

– Sezoni i shirave mosun, problem i ri

Ai rikujtoi dhunën në Arakan nga viti 2012 në mes të muslimanëve dhe budistëve dhe se pas kësaj 120 mijë muslimanë u mbyllën në kampet e vendit.

“Na është thënë se këta njerëz do të kthehen në shtëpitë e tyre. Kush është kthyer deri më tani? Si mund të besojmë se kjo marrëveshje do të përmbushet?”, pyeti ai.

Ai gjithashtu paralajmëroi për afrimin e sezonit të ri të shirave mosun, që do të jetë një problem i ri për muslimanët e Arakanit në Bangladesh.

“Në një zonë të vogël në kampe në Bangladesh jeton një numër i madh njerëzish. Sezoni i shirave mosun është shumë i rrezikshëm për këta njerëz. Shpresojmë se qeveria e Bangladeshit do të ndërmarrë hapa sa më të shpejtë në mënyrë që t’u sigurojë muslimanëve nga Arakani strehim më të mirë”, tha Mohamed.

– Turqia është i vetmi vend që ndihmon me zemër

Mohamed theksoi iniciativat diplomatike dhe aktivitetet humanitare që ka ndërmarrë Turqia që nga fillimi i krizës.

“Turqia është i vetmi vend në botë që merret me këtë çështje. Ajo ka ndërmarrë hapa edhe në OKB dhe në Organizatën për Bashkëpunim Islam (OBI). Ajo bashkëpunon ngushtë me qeverinë e Bangladeshit për të ndihmuar muslimanët e Arakanit”, shtoi Mohamed.

Ai vuri në dukje se kriza në të cilën gjenden muslimanët e Arakanit vazhdon akoma.

“Bashkësia ndërkombëtare e di për Ruandën, e di për Bosnjën. Ne themi, krim kundër njerëzimit, OKB thotë tirani, ne themi gjenocid, OKB thotë spastrim etnik. Gjithmonë vonohet. Bashkësia ndërkombëtare duhet urgjentisht të ndërmarrë veprime kundër atyre që vrasin njerëz. Edhe nëse nuk jemi shtetas të Mianmarit, të mos na njohin, nuk guxojnë të vrasin njerëz. Fëmijët dhe gratë janë të pamundur”, tha Muhamed dhe përsëri kërkoi ndihmë.

Sipas të dhënave të fundit të OKB-së, që nga 25 gushti 2017, rreth 688 mijë muslimanë të Arakanit si pasojë e dhunës në Mianmar kanë ikur në Bangladesh.

Imazhet satelitore të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut tregojnë se më shumë se 350 fshatra muslimane janë djegur në atë zonë.

Qeveritë e Mianmarit dhe Bangladeshit më 23 nëntor 2017 arritën marrëveshje për kthimin e muslimanëve në territorin e tyre. Sipas marrëveshjes, ata që duan të kthehen në Mianmar duhet të japin dëshmi se kanë qëndruar në atë vend para ikjes së tyre në Bangladesh. Në vitin 1982, muslimanët e Arakanit u privuan nga e drejta e shtetësisë dhe regjistrimit në Mianmar.

Përveç kësaj, kthimet duhej të realizoheshin brenda dy muajve nga nënshkrimi i marrëveshjes, por flitet se ky proces është prolonguar dhe nuk janë bërë hapa konkretë deri më sot.