Fikh

Vakëfi për të vdekurit

1.1Kviews

PYETJE:

Jam një grua, më ka vdekur djali para tre vjetëve, më ka lënë trashëgimi të holla në sasi 500 mijë rijalë. Unë u pikëllova thellë për të, sepse ishte djalë i mirë dhe bamirës. Për këtë shkak, vendosa ta autorizoj djalin tim të madh që ta ndërtojë një xhami me këtë shumë (të parave) të trashëguar prej tij në një pjesë të qytetit Doha. Mirëpo, ai deri më tani nuk e ka ndërtuar xhaminë, kurse të hollat janë ende tek ai. Unë vazhdimisht po insistoj tek ai që ta zbatojë urdhrin tim për ndërtimin e xhamisë, por ai nuk po e përfill insistimin tim. Nëse nuk e ndërton xhaminë, a shkon shpërblimi tek i vdekuri nga zotimi im për ndërtim të xhamisë? A jam shkarkuar unë nga borxhi, pasiqë atij ia kam dorëzuar të gjitha të hollat?

*****
PËRGJIGJE NGA DR. JUSUF EL-KARDAVI:
Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Kiametit, pastaj:

Ti do të shkarkohesh nga borxhi vetëm pasi ta ndërtosh xhaminë, nëse je zotuar se do ta ndërtosh për të një xhami. Dhe nuk do të shkojë shpërblimi te shpirti i të vdekurit vetëm se pas ndërtimit të xhamisë. Andaj, je e detyruar të insistosh me ngulm tek djali i madh që ta ndërtojë xhaminë, ose të ankohesh për të tek ndonjëri prej xhaxhallarëve apo dajallarëve, ose të ankohesh në gjykatë, sepse kjo sasi e të hollave nuk është e drejtë e tij.

Nuk është e domosdoshme që xhamia të ndërtohet në Doha, unë madje preferoj që të ndërtohet jashtë Dohas, në një prej vendeve të varfra islamike. Sepse xhamia atje ka një kosto sa 1/10 e ndërtimit të xhamisë këtu dhe atje do të falen me mijëra njerëz. Me 500 mijë rijalë këtu mund të ndërtohet një xhami e vogël, ndërsa në vende të varfra mund të ndërtohet një xhami e madhe, bashkë me një shkollë dhe një bibliotekë. Madje, ndoshta me këtë sasi të parave, atje mund të ndërtohen disa xhami. Unë e këshilloj nënën që ta ashpërsojë qëndrimin ndaj djalit të saj, dhe t’ia shfaqë atij zemërimin e saj, si dhe të bëjë padi nëse ai nuk e kryen këtë.

Allahu i ndihmoftë asaj nëne dhe djalit të saj për të bërë mirë, ndërsa sadaka e vazhdueshme qoftë për shpirtin e të ndjerit, Allahu e mëshiroftë dhe e faltë.

Përkthim nga arabishtja: Miftar Ajdini