Islamisitikë

Vajzat janë mburojë nga xhehenemi

424views

Një profesor në Universitetin e Medinës ka treguar se njëherë, imami i xhamisë së Pejgamberit (savs), në hutbe kishte predikuar se atë të premte, para xhamisë, i kishte ardhur një njeri, plot emocione, dhe e kishte lutur që ta dëgjojë rastin e tij:
“Unë i kisha 6 vajza dhe shumë kisha dëshirë që gruaja ime të lindte një djalë. Sa herë që mbetej shtatzënë, unë i ankohesha se po prisja djalë. Kur mbeti shtatzënë për herë të shtatë, i thashë asaj se, nëse edhe kjo do të jetë vajzë, do të ndahemi.
Një natë unë ëndërrova se si melekët e xhehenemit po më çonin për xhehenem. Në portën e parë po qëndronte vajza ime më e madhe, e cila iu tha atyre:
“BABAI IM NUK MUNDET NË XHEHENEM”,
dhe ata vazhduan me mua për në portën e dytë. Kur aty po qëndronte vajza ime e dytë dhe, ashtu sikurse e para, na refuzoi nga hyrja në xhehenem. Kështu te secila portë në vazhdim, e takonim nga një prej vajzave të mia, dhe asnjëra prej tyre nuk lejoi që të më fusin në Zjarr.
Kur u nisëm nga porta e 6 për në portën e 7, mua mu kujtua se më nuk kisha vajza. Në atë ndjenjë të tmerrshme frike u zgjova. E falënderova Allahun për gjithçka dhe e luta që gruaja ime ta sjellë në jetë edhe vajzën e shtatë. Të lutem përcille këtë tek njerëzit.”
Kurse një xhemat i imi thotë: “Nuk din çka është fëmija, ai që nuk ka vajzë!”
Transmeton Enesi (r.a.), se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush i rrit (edukon) dy vajza deri sa të arrijnë moshën madhore, unë dhe ai do të hyjmë në xhenet bashkë si këta dy (gishtat).” (Hadith sahih, i regjistruar nga Imam Muslimi dhe Tirmidhiu).
Hz. Ajsha (r.a.) thotë: “Më erdhi një gruaja, e cila kërkonte (lëmoshë) me dy vajza, kurse unë nuk kisha asgjë për t’i dhënë asaj përveç një hurme. Ia dhashë asaj hurmën dhe ajo e mori, e ndau përgjysmë dhe ua dha vajzave të saj, kurse vetë ajo nuk hëngri asgjë. Më pas ajo u ngrit dhe shkoi. Pastaj na erdhi Pejgamberi (savs) dhe unë i tregova atij se çfarë ndodhi, kurse ai na tha: “Kush sprovohet me vajza (sado qoftë numri i tyre), dhe ai i trajton mirë ato dhe i edukon bukur, ato do të jenë për të mburojë nga Zjarri (në Ditën e gjykimit).” (Hadith i transmetuar nga Imam Ahmedi Buhariu, Muslimi dhe Nesaiju).

Pershtati: Miftar Ajdini