“Ushtria po kryen fushatë të dhunës ndaj muslimanëve të Arakanit”

Rrjeti i të Drejtave të Njeriut për Mianmarin (BHRN) ka njoftuar se ndaj muslimanëve të Arakanit është duke u kryer fushatë e dhunës nga ushtria dhe se në vend janë formuar “zona të pastra nga muslimanët”, raporton Anadolu Agency (AA).

BHRN, organizatë me qendër në Londër, ka publikuar një raport prej 104 faqesh lidhur me sulmet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të muslimanëve të Arakanit, i cili është përgatitur duke zhvilluar intervista me mbi 350 persona përgjatë tetë muajve në mbi 46 fshatra dhe qyteza në qendër të Mianmarit, në Arakan (Rakhine) dhe në Karen.

Sipas raportit, persekutimi kundrejt muslimanëve të Mianmarit ka vazhduar duke u rritur veçanërisht që nga vitit 2012. “Në të gjithë vendin janë formuar ‘zona të pastra nga muslimanët’, ndërsa vendet muslimane të adhurimit janë mbyllur ose janë bërë të papërdorshme”, ka theksuar BHRN në raport.

Në raport theksohet se persekutimi mbi muslimanët ka vazhduar edhe në “pseudo-qeverisjen civile”. “Muslimanëve në përgjithësi vazhdojnë t’u mohohen kartat e identifikimit. Muslimanët Rohingya i janë nënshtruar fushatave të dhunës të kryera nga ushtria”, thuhet në raport.

Raporti po ashtu thekson se janë duke vazhduar katër ligje që përmbajnë diskriminim fetar të miratuara gjatë mandatit të ish-presidentit Thein Sein, me të cilat ishte ligjësuar shtypja ndaj muslimanëve.

“Ministrja e Jashtme e Mianmarit dhe ministrja e Presidencës Aung San Suu Kyi vazhdimisht ka dështuar të ndryshojë qëndrimet shoqërore ndaj muslimanëve. Udhëheqësve të lartë të Lidhjes Nacionale për Demokraci (NLD) në pushtet u është lejuar të bëjnë deklarata kundër muslimanëve të Arakanit”, qëndron në raport.

Ndërkohë, një anëtar i Këshillit Islam për Çështje Fetare të Mianmarit i cili ka kërkuar të ngelet anonim, për AA tha se pajtohet në masë të madhe me gjetjet e raportit dhe se pjesa më e madhe e muslimanëve që jetojnë në Yangon dhe rajonet e tjera nuk kanë karta të identifikimit dhe janë të privuar nga të drejtat themelore.

Muslimanët e Arakanit vazhdojnë përpjekjet për të ikur nga dhuna

Në disa pamje të xhiruara gjatë ditës së djeshme të cilat u shpërndanë nëpër rrjetet sociale, vërehet gjendja e muslimanëve të Arakanit të cilët presin në zona malore pas djegies së shtëpive të tyre.

Një numër i madh i muslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.

Gjatë sulmeve të ushtrisë janë shënjestruar mbi 60 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve ilegale.

OKB njofton se mbi 123 mijë muslimanë të Arakanit deri më tani kanë kaluar në Bangladesh, megjithëse dhjetëra mijëra vazhdojnë të presin në zonën kufitare.

Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply