Globus

“Uniforma ime është lyer me gjakun e njerëzve të pastër dhe të vlefshëm”

415views

Punonjësja shëndetësore palestineze Rezzan en-Neccar, në pikën zero të kufirit, me gjithë guximin e saj, në mënyrë vullnetare vrapon në ndihmë të të plagosurve me qëllim të mbështetjes së “Marshit të Madh të Kthimit”, i cili po mbahet në 42 vjetorin e Ditës së Tokës, e cila është shndërruar në simbol të rezistencës kundër pushtimit të Izraelit.

Në incidentet në kufi zakonisht shërbejnë punonjësit shëndetësorë të gjinisë mashkullore, por 20 vjeçarja Neccar së bashku me kolegët e saj përpiqet me gjithë fuqinë e saj t’i mbështesë dhe t’i shërojë palestinezët e plagosur.

Neccar e cila vrapon në mesin e tendave të vendosura për protestuesit në qytetin Han Junus, në jug të Rripit të Gazës, së bashku me ekipin shëndetësor vullnetar, bën ndërhyrje edhe tek të plagosurit.

Neccar për Anadolu Agency (AA) tregon të gjitha përjetimet e saj që nga fillimi i protestave. Ajo thotë se në ditën e parë të protestave ka kryer ndërhyrje të parë për 70 persona, 15 prej tyre të plagosur në koka ndërsa 55 të tjerë në këmbë.

Ajo tha se tre herë ka qenë në rrezik nga mbytja si pasojë e gazit të hedhur.

“Ditën e premte shërbyem në tendën e vendosur për ndihmë të parë duke filluar nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes. Në një rast në një pikë të afërt me kufirin 3 persona u plagosën nga plumbat e vërtetë. Përkundër asaj që disa nga punëtorët e kujdesit shëndetësor hezitonin të hynin në atë fushë, shkuam aty dhe realizuam ndërhyrjen e parë. Ushtarët hapën zjarr disa herë në drejtim timin, por nuk ndodhi asgjë”, thotë Neccar.

Në vijim Neccar thotë se do të jetë deri në fund mbështetëse e palestinezëve, të cilët vazhdojnë protestat e tyre për të theksuar të drejtën e rikthimit. “E di se kjo detyrë nuk është e lehtë për një grua por jam e vendosur për të përfunduar këtë rrugë në të cilën kam hyrë për t’i ndihmuar të plagosurit dhe ata që janë në gjendje të vështirë”, tha ajo.

Punonjësja shëndetësore palestineze Neccar thotë se nuk do të heqë dorë nga puna në terren edhe nëse kjo vazhdon me muaj. “Uniforma ime është lyer me gjakun e njerëzve të pastër dhe të vlefshëm. Jam e nderuar për këtë”, thekson Neccar.

Palestinezët që nga 30 marsi, dita e premte e deri më tani në kufirin e Rripit të Gazës me Izraelin organizojnë protesta paqësore në kuadër të përkujtimit të 42 vjetorit të Ditës së Tokës.

Ndërsa ushtria izraelite shtie me plumba të vërtetë kundër popullatës civile, e cila kërkon “kthimin në tokat nga të cilat u dëbuan dhe heqjen e bllokadës së paligjshme të zbatuar ndaj Gazës që nga viti 2006”. Që nga dita e parë e protestës 18 palestinezë kanë rënë dëshmorë ndërsa më shumë se 1.500 të tjerë janë plagosur.

Palestinezët mendojnë që këto protesta paqësore t’i vazhdojnë për 6 javë.

– Çfarë është Dita e Tokës?

“Në Ditën e Tokës”, ku përkujtohen incidentet pas pushtimit të mijëra hektarëve tokë të cilat u përkisnin palestinezëve më 30 mars të vitit 1976, popullata që nga orët e mëngjesit filloi të mblidhet në kufi, duke marrë pjesë në thirrjen për “Marshimin e Madh të Kthimit”, thirrje të cilën e kanë bërë disa ditë më parë grupet palestineze.

Izraeli më 30 mars të vitit 1976 ka pushtuar mijëra hektarë tokë të palestinezëve shtetas të Izraelit të cilët jetonin në rajonin Celile, në veri të shtetit. Pas kësaj popullsia palestineze, hyri në grevë të përgjithshme për të protestuar kundër kësaj grabitjeje.

Policia izraelite ka hapur zjarr ndaj personave që morën pjesë në protesta, ku ranë dëshmorë 6 persona ndërsa një numër i madh i të tjerëve u plagosën.

Ky rast i cili njihet si “Dita e Tokës”, vlerësohet si simbol i rezistencës së palestinezëve të treguar për çështjen e tokës, e cila është burim i përleshjeve mes Izraelit dhe Palestinës.