“Udha e s’vërtetës”, revista me vlera historike e hoxhës, Kadri Prishtina

Revista fetare “Udha e s’vërtetës” doli në tetor të vitit 1923 dhe botohej në Shkodër. Që në numrin e parë, kryeredaktori i saj Kadri Prishtina, paraqiti në mënyrë koncize programin e kësaj reviste.

Aty përmblidheshin synimet kryesore të këtij organi, si mësimi i parimeve të thjeshta të fesë, për t’i shpëtuar njerëzit prej shkatërrimit të plotë, për të ngjallur në zemrat e tyre ndjenjat e bashkimit, për të jetuar tok në shoqërinë bashkëkohore.

Kadri Prishtina (1878 – 1925)

Kështu, p.sh. në numrin e saj të parë thuhej: “Qëllimi kryesor asht me i këshillue bashkëfetarët t’onë, me ua mësue këtyne parimet e thjeshta të fesë,…, mu munduem me i ba gjymtyrë të dobishëm për jetën shoqnore e kombtare t’onën…me i dhanë nji zhvillim mendimtar krejt popullit në lamë të filozofis, të sociologjisë e të politikës.”

Aktivizimi i gjithë dijetarëve shqiptarë për t’u bërë gjymtyrë e dobishme e jetës kombëtare dhe asaj shoqërore ishte një prej preokupimeve kryesore të programit. Kështu nënvizohej atje, do t’i japim një impuls zhvillimit mendor të të gjithë popullit.

Kryeredaktori theksonte se problematikat do të shtriheshin edhe në fushën filozofike, sociologjike dhe politike.

Në këtë revistë bashkëpunuan mjaft intelektualë e teologë të kohës. Revista botohej nga një komision i posaçëm që quhej “Komisioni i Sheriatit”. Ajo doli vetëm tre numra. Numri i parë i revistës doli në muajin tetor të vitit 1923, i dyti dhe i treti respektivisht në muajt në vazhdim, në nëntor e dhjetor. Pra, Kadri Prishtina edhe në vitet e fundit të jetës së tij (dy vjet pas daljes së revistës ai vdiq) vazhdoi të kontribuonte në jetën e mendimit fetar, ashtu siç kontribuonte në jetën politike dhe kombëtare të vendit. Temat e trajtuara në revistë qenë me natyrë fetare.

Kryeredaktori i kësaj reviste, i cili luajti një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të Kosovës dhe në demaskimin e politikës jugosllave, vdiq në rrethana të paqarta, por “Udha e s’vërtetës” që drejtoi ai la një jehonë të mirë për problemet që shtroi, për qëndrimet që mbajti dhe nivelin e paraqitjes së artikujve.

(Breziiri)

 

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply