Aktualitete

UBISHZ uron vitin e ri hixhri 1440

539views

Urimi i kryesisë së Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër me rastin e vitit të ri hixhri 1440:

Cyrih, 10.09.2018

Në emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit

Të dashur vëllezër e motra

Sonte, me perëndimin e diellit, muslimanët në Zvicër dhe të gjithë të tjerët në botë, do ta presin vitin e ri 1440 sipas kalendarit hixhri. Hixhreti na kujton ngjarjen e migrimit të pejgamberit Muhammed, alejhis-selam, i cili u detyrua dhunshëm ta lë vendlindjen e tij, Meken, për të shkuar në qytetin e Jethribit, tani të njohur me emrin Medine.

Muhammedi a.s. përmes hixhretit nisi rrugën për të kërkuar mundësinë e formimit të bashkësisë, e cila do të kishte si parim themelor lirinë, barazinë dhe drejtësinë, vlera këto të pashmangshme edhe sot e kësaj dite për një shoqëri të zhvilluar, unike dhe qytetëruese.

Me të arritur në qytetin e Medines, Pejgamberi i Zotit, alejhis-selam, vëllazëroi muhaxhirët (të shpërngulurit nga Meka) dhe ensarët (mikëpritësit medinas), si dhe ndërtoi xhaminë, e cila do të bëhej simboli i bashkimit dhe unitetit, jo vetëm brenda muslimanëve, por edhe për të gjithë banorët e qytetit.

Sot, në pritje të vitit të ri 1440 hixhri dhe në kujtim të hixhretit të Muhammedit a.s., Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër (UBISHZ), uron të gjithë besimtarët shqiptarë muslimanë, duke filluar nga Zvicra, e deri në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës, apo në diasporë, për një vit të mbarë, me paqe, siguri dhe larg çdo devijimi a përçarjeje.

Po ashtu, me rastin e përkujtimit vjetor të hixhretit, lusim të madhin Zot që të gjithë imamëve, këshillave të xhamive, si dhe xhemateve tona, t’ju dhurojë lehtësi dhe mbarësi në angazhimet e tyre për çështjen fetare dhe njerëzore, t’ua ruaj familjet dhe t’i bashkojë zemrat e tyre.

Zoti ynë dhuro suksese dhe bekoje bashkësinë tonë, shoqërinë shqiptare, atdheun tonë, si dhe botën mbarë.

Urime viti i ri hixhi 1440.

Në emër të kryesisë së UBISHZ
Mehas Alija