Turqia gati të prodhojë automjetin e saj, Erdogan: turp që s’e kemi patur deri më tani

Presidenti turk, Rexhep Tajjip Erdogan e ka quajtur si “turp” faktin që Turqia deri më sot nuk ka mundur të prodhojë e nxjerrë në treg një automjet të saj. “Në Turqi, vitin e kaluar është realizuar shitja e 757 mijë automjeteve brenda vitit. Fakti se Turqia në këtë fushë ende nuk ka bërë asgjë paraqet turp për vendin tonë. Sot ne bëjmë hapin historik sa i përket çlirimit nga ky turp”, tha Erdogan, teksa lajmëroi se automjeti i parë “Made in Turkye” do të dalë në shitje në vitin 2021, ndërsa prototipi i tij pritet të përfundojë në vitin 2019, siç raporton Anadolu Agency.

Në prodhim do të marrin pjesë kompanitë Anadolu Group, BMC, Kıraca Holding, Turkcell Group dhe Zorlu Holding.

Presidenti turk theksoi se është i gatshëm të ofrojë çdo lloj mbështetje grupit që do të punojnë në prodhimin e automjetit të parë, duke shtuar se dëshiron të jetë blerësi i parë i automjetit që do të dalë në shitje.

“Ajo çfarë pres nga ky grup është që sa më parë të përfundojnë përgatitjet për projektin. Nuk duam asnjë vonesë në rastin e projektit për të cilin besojmë se zë vend të veçantë në mesin e objektivave tona të përcaktuara për vitin 2023”, ka thënë Erdogan.

Më tej shtoi se nuk është çështja vetëm në prodhimin e automjeteve, por se bëhet fjalë për një hap shumë ambicioz, në kontekstin e teknologjisë dhe përvojës që do të investohen në këtë projekt. /tesheshi.com/

Artikuj të ngjashëm: