Islamisitikë

Tregim pikëllues për gjyshin

676views

(Tregim që e ka bërë të qajë, e ka pikëlluar dhe zemëruar tërë Ballkanin)
Ky tregim e përshkruan vetëm një nga shumë raste të varfërisë në vendin tonë, por edhe e rikthen besimin se ende ekzistojnë njerëz fisnikë.
Më lejoni të ju tregoj edhe një tregim tjetër në serinë e tregimeve nga i cili të ngel kafshata në fyt. Këtë herë fjala është për një gjysh, ku tregimin po ua përcjellim në tërësi.
*****
“Dje shkova në dyqan. Para meje, një burrë i vjetër mbi 80 vjet. Dy domate, një kungull të njomë, një kg. miell, një kg. sheqer dhe disa gjëra të vogla. Asgjë luksoze, asgjë e tepërt apo e shtrenjtë.
Plaku e nxori portofolin e tij, me vetëm disa monedha metalike. Arkëtarja i numëroi dhe mezi arriti t’i bëjë 2 €. Nuk mjaftojnë i tha. Pastaj e pyeti plakun a të lë diçka mënjanë derisa ai ta sjell pjesën tjetër të parave, që të zbresë diçka nga llogaria.
Ai i tha asaj të mos lë asgjë mënjanë për më vonë, sepse ai dhe gjyshja, edhe ashtu nuk kanë më para në shtëpi, por le të heq diçka. I shtyri me dorë, pasigurt, ato dy domatet dhe kungullin e njomë, pastaj pyeti se çka të heq tjetër nga nevojat e tij modeste.
Unë ia dhashë arkëtares 10 € dhe i thash t’ia rikthejë zotëriut artikujt në qesen e tij. Plaku ende po hulumtonte nëpër xhepa, me shpresë se mos po gjente ndonjë cent të humbur.
E ktheu shikimin dhe tha: “Unë me të vërtetë nuk kam asgjë më shumë në xhepin tim, merrni diçka nga ato që kam dashur t’i blejë.”
Arkëtarja i tha se unë ia shtova aq sa po i mungonin.
Plaku më vështroi, i hutuar, pastaj e uli shikimin dhe tha: “E çka të bëj unë tani?”
“Asgjë,” iu përgjigja, “Merrni sendet tuaja dhe shkoni në shtëpi, gjithçka është në rregull.”
“Por, kjo mua nuk më ka ndodhur kurrë”, tha plaku, ende i hutuar. “Unë vërtet nuk e di se çka të bëj?” tha ai, duke e shikuar arkëtaren i hutuar.
“Epo, ka ende njerëz të mirë”, i tha arkëtarja, por edhe ajo e uli shikimin.
“Ma jepni të paktën numrin tuaj të telefonit dhe adresën, që unë t’ua sjell 2 €, kur të kem mundësi, më tha gjyshi.
“Si ka mundësi, këto të gjitha ju i keni punuar dhe fituar shumë vite më parë”, u përpoqa që me buzëqeshje ta thyej dhimbjen e tij.
“Por me të vërtetë kjo mua nuk më ka ndodhur kurrë më parë, që dikush të më ndihmojë kaq shumë …”, tha plaku dhe filloi të dridhet dhe të qajë në mjerimin e tij, sikur t’i jepja një copë floriri, e jo një kartëmonedhë të rrudhur.
Arkëtarja ia paketoi pjesën tjetër të sendeve të tij në qese, por edhe asaj i vinte vështirë. Punon ndoshta për 200 ose 250 €, dhe e di me siguri edhe vetë se çka do të thotë mospasja.
“Eja në kafe të paktën, duhet t’ua kthej borxhin”, më tha plaku.
“Ju nuk keni nevojë për asgjë, përveç të qetësoheni dhe të shkoni në shtëpi, ta përgatitni drekën dhe të pushoni”, u përpoqa ta qetësoj me anë të buzëqeshjes.
Ma shtriu dorën dhe më tha: “Si quheni?”
“Enes,” iu përgjigja.
Ai më tha: “Unë jam Jusufi dhe do t’ju kujtoj derisa të jem gjallë.”

Përshtati: Miftar Ajdini