Islamisitikë

Tre Muajt e Bekuar (Rexheb, Shaban dhe Ramazan)

632views

Koha dhe vendi, të gjithë vlerën dhe shenjtërinë e tyre e marrin sepse ashtu dëshiron Allahu. Kjo dëshirë hyjnore përfshin mijëra urtësi për krijesat. Veçanërisht, ato ngjarje që ndodhin brenda asaj kohe dhe vendi, i fitojnë këtyre një rëndësi të veçantë. Shenjtëria e disa aspekteve të kohës në Islam është një mënyrë që begatia dhe mirësia e pafund e Zotit të mbërrijë tek myslimanët.

Sipas kalendarit hënor (hixhri), që ka si pikënisje hixhretin e profetit Muhamed (a.s.), muajt Rexheb, Shaban dhe Ramazan janë muaj shumë të dobishëm dhe të bekuar. Në shoqërinë islame këta muaj njihen edhe si “Shuhur-u Thelathe” (Tre Muajt). Të gjitha netët e mira (e mëdha) veç Natës së Mevludit, ndodhen brenda këtyre tre muajve. Muaji Rexheb cilësohet si muaji i mbjelljes, muaji Shaban si muaji i ujitjes dhe muaji i Ramazanit si muaji i korrjes apo mbledhjes së prodhimeve. Njeriu korr ç’ka mbjell, merr barazvlerësen e asaj që ka bërë.

Tre muajt kanë një shije të vetën, e cila i veçon ata nga muajt e tjerë. Brenda kësaj kohe njerëzit që i kthehen botës së zemrës, preken shpirtërisht nga rrezet që burojnë nga besimi i tyre dhe u duket se në këtë gjendje ata do të jetojnë përgjithmonë në hare. Ditët, netët, madje orët dhe minutat gjatë kësaj kohe për ta, ecin në një formë të magjishme. E ashtu duke rrjedhur, pa dyshim që secilit i pëshpërijnë diçka në shpirt.

Kur mbërrijmë në këto kohë të arta të vitit, na duket sikur kemi prekur ato ditë të kaltra të botës së përtejme. Koha gjatë këtyre muajve ngjyroset me bojërat e botës së përtejme dhe njerëzit zhyten thellë në qetësi shpirtërore të magjishme, sikur të ishin banorë të botës tjetër. Kujtimet dhe koha e kaluar gjatë këtyre tre muajve, na e veshin jetën tonë me një bukuri të magjishme dhe ndjenjat tona futen brenda një simfonie të qetë. Ajo kohë përqafon të gjithë ata që ndjejnë dhe kuptojnë besimin, Islamin, faltoren dhe adhurimin me ngjyrën e dritave në frekuenca të ndryshme, me flladin e saj të ëmbël dhe të butë duke magjepsur me zërin e saj çdokënd në shpirt. Brenda tre muajve, tek shikon dritat që depërtojnë nëpër zemrat e njerëzve, vezullimet e minareve, gjallëria shpirtërore e popullit që shpejton për në faltore, më tepër sesa jetën tokësore, të kujton parajsën dhe për ata njerëz që vërtet ua dinë vlerën, ofrohet një kënaqësi shpirtërore e paparë.

Muaji Rexheb është muaji i faljes, amnistisë nga Allahu; muaji Shaban është muaji i shefaatit, ndërmjetësimit për falje; muaji Ramazan është muaji i shtimit të mirësive. Për këtë qëllim Profeti ynë, në fillim të muajit Rexheb, lutej kështu: “Allahu im! Na i bëj të bekuara Rexhebin dhe Shabanin dhe na bashko me Ramazanin” (Ahmed, I, 259). Ndërsa në disa thënie të tjera qëndron: “Ai që agjëron ditën e parë, të mesit dhe të fundit të muajit Rexheb, shpërblehet sikur ka mbajtur me agjërim të gjithë muajin” (Miftahu’l-Xhene). “Rexhebi është një muaj i madh. Të mirat në këtë muaj Allahu i shumëfishon” (Taberani). Pas muajit Rexheb vjen muaji Shaban. Aisheja (r.a.) thotë: “Nuk e kam parë të dërguarin e Allahut të mbajë më shumë agjërim se sa në muajin Shaban” (Muslim, Sijam, 175). “Muaji Shaban i pastron gjynahet” (Axhluni, Keshfu’l-Hafa, 2/9). Transmetohet nga Enes b. Malik se Profeti (a.s.) pyetet: O i dërguari i Allahut! Në cilin muaj është agjërimi më i mirë përveç Ramazanit? Pejgamberi përgjigjet: “Për nder dhe respekt të Ramazanit është agjërimi i mbajtur në muajin Shaban” (Tirmidhi, zekat, 28). I dërguari i Allahut në një hadith thotë: “Muaji Rexheb është i Allahut të Lartë, muaji Shaban është i imi, kurse muaji Ramazan është i ymetit tim” (Ramudhu’l–ehadith, I, 289; Axhluni, Keshfu’l-Hafa, 1/423).

Profeti dhe sahabët punonin shumë për të kapur mirësitë e këtyre tre muajve. E shtonin shumë më tepër adhurimin me nafile (namaze suplementare), shtonin shumë dhikrin (përkujtimin), tesbihun (lartësimin), hamdin dhe shukrin (falënderimin) ndaj Allahut (xh.sh.), kërkonin falje, ndihmonin të varfrit, gëzonin jetimët, të vetmuarit dhe të moshuarit. Gjatë muajve Rexheb dhe Shaban u kushtonin vëmendje agjërimit të ditëve të hëna dhe të enjte. Theksojmë se agjërimi i mbajtur në muajt Rexheb dhe Shaban është sunet./KMSH/