Hutbe

T’ju ndihmojmë njerëzve

664views

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Të nderuar xhemat;

Duhet ta dimë se nuk ka asnjë të mirë në veprat pa dituri, dhe nuk ka asnjë nder në diturinë pa vepra. Dituria kërkon vepra, kurse nga përsëritja dhe zbatimi i diturive dhe veprave shfaqet sjellja jonë, ahlaku ynë.

Allahu i Plotfuqishëm na ka shpallur:
“Ndihmoni njëri-tjetrit në punë të mira dhe në devotshmëri, dhe mos ndihmoni në mëkate dhe armiqësi! Dhe frikësohuni Allahut! Se, Allahu, dënon ashpër.” (el-Maide, 2)

Muslimanët duhet të zotërojnë cilësi pozitive, ndërsa shpëtimi i tyre është në punë dhe ndihmën ndaj njëri-tjetrit, nëse ata duan të sigurojnë jetë të lumtur si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.

Thotë Allahu i Plotfuqishëm: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin.” (et-Tevbe, 71)

Pejgamberi savs thotë: “Njeriu duhet të përpiqet për atë që është e ndershme dhe e dobishme për të, dhe nuk guxon të presë dhe të shpresoj se do të vijë vet dhe do t’ia sjellë koha.”

Pejgamberi savs, dashurinë reciproke mes muslimanëve, në një hadith, e ka krahasuar me një organizëm: “Pjesët e të cilit njëlloj e ndjejnë dhimbjen kur të sëmuret ndonjëra prej tyre.”

Gjithashtu transmetohet, se ka thënë: “Asnjë prej jush nuk është besimtar i vërtetë derisa të dëshirojë për vëllain e tij atë që dëshiron për vetveten.” (Buhariu)

Çdo musliman në vetvete duhet ta ketë të zhvilluar tiparin pozitiv për ta ndihmuar njeriun tjetër kur ai ka nevojë për të. Nëse ne e shpenzojmë një pjesë të pasurisë sonë në rrugën e Allahut, Allahu do të na e shumëfishojë atë dhe do të na i falë mëkatet tona. Allahu i Plotfuqishëm shpërblen shumëfish dhe është i butë.

Në Hadith thuhet: “Kushdo që i gjendet vëllait tij kur ai ka nevojë, Allahu do t’i gjendet atij. Atij i cili vëllait tij musliman ia largon një problem në këtë botë, Allahu do t’ia largojë atij problemin në Ditën e Gjykimit. Kushdo që ia mbulon një të metë vëllait tij, Allahu do t’ia mbulojë atij në Ditën e Gjykimit.”

Pejgamberi savs në një hadith thotë: “Atij i cili niset për t’ia plotësuar një nevojë vëllait tij musliman, Allahu për çdo hap do t’ia regjistrojë 70 shpërblime dhe do t’ia falë 70 mëkate.”

Vëllezër të dashur;

Muslimani është i obliguar që edhe jomuslimanëve t’ju dëshirojë çdo të mirë sikur për veten e tij, sepse në një hadith tjetër thuhet se mbarë botës duhet t’ia dëshirojmë atë që dëshirojmë për vetveten, meqë ne të gjithë jemi njerëz nga mishi dhe eshtrat, vetëm se ata e kanë mohuar Allahun e Plotfuqishëm, për çka ata, me siguri do të dënohen.

Në kulturën islame nevojat e njerëzve interpretohen si begati dhe mëshirë. Prandaj, ata që për shkak të mundësive të tyre financiare apo të statusit të veçantë shoqëror, janë të ekspozuar ndaj aplikimeve të shumta dhe shfaqjes së nevojave të njerëzve, duhet ta dinë se atyre iu është hapur dera e mëshirës së Allahut, sepse begatia e shumtë nuk e lodh as nuk e mërzit askënd.

Transmetohet se hazreti Husejni (r.a.) ka thënë: “Me të vërtetë, nevojat të cilat ua shfaqin njerëzit juve janë begati të Allahut ndaj jush, andaj këto begati mos të ju mërzisin!”

Prandaj, çdo musliman duhet ta pranojë mirë këtë begati dhe mëshirë nga Zoti, dhe të përpiqet sa më shumë që mundet për plotësimin e nevojave të atyre që i kanë, ndërsa nëse këtë nuk mund ta bëjnë, atëherë të paktën le të japin përgjigje dhe shpjegim që jep shpresë.

Në raste të ngjashme me këto, Pejgamberi savs do të vepronte kështu: “Kur dikush ia shfaqte nevojën e tij, ai nuk e kthente pa ia përmbushur, ose të paktën ia lehtësonte me fjalë.”

Në çdo rast, nëse dikush nuk mund t’ia plotësojë nevojën të nevojshmit, duhet të flasë me të në atë mënyrë, që ai të mos mbetët i dëshpëruar apo i zhgënjyer.

Kurani famëlartë thotë:

“E nëse shmangesh nga ata, duke kërkuar mëshirën e Zotit tënd, të cilën ti e shpreson, atëherë, thuaju atyre ndonjë fjalë të butë.” (el-Isra, 28)

Pejgamberi savs, pas zbritjes së këtij ajeti, kur dikush prej tij kërkonte diçka, dhe ai nuk kishte asgjë për t’i dhënë, thoshte: “Allahu na furnizoftë neve dhe juve nga të mirat e Tij!”

Prandaj, ai që nuk mund t’ia plotësojë nevojën e dikujt, ai duhet të paktën ta ngushëllojë me fjalë që ngjallin shpresë, si p.sh.: “Shpresoj se Zoti do t’i përmbushë nevojat tuaja, por edhe unë do të mundohem për juve me aq sa kam mundësi” – e kurrsesi të grindemi apo të sillemi vrazhdë dhe ta bëjmë të dëshpëruar.

Të nderuar xhemat;

Le të dëgjojmë përkthimin e sures të cilën shpesh e lexojmë në namaz, suren el-Maun ose Ere’ejtel-ledhi, siç e quajmë në gjuhën popullore:

1. A di ti për atë që e përgënjeshtron Ditën e llogarisë (e shpërblimit)?
2. E ai është, i cili ashpër i dëbon bonjakët
3. Dhe nuk nxitë që të ushqejnë të varfrit.
4. Mjerë për ata, të cilët kur falen,
5. Janë të pakujdesshëm (të harrueshëm),
6. E veprojnë, vetëm sa për sy e faqe (para botës)
7. Dhe pengojnë dhënien e ndihmës (në shërbimet e vogla midis njerëzve)! (el-Maun)

Pranë të gjitha këtyre obligimeve, muslimani si anëtar i komunitetit musliman duhet të jetë i vetëdijshëm për detyrat dhe obligimet si ndaj bashkësisë së tij ashtu edhe ndaj vendit të tij.

O Zot, të lutemi na mbro nga brengat dhe pikëllimi.

Vetëm Ty të lutemi, na mbro nga dobësia dhe përtacia.

O Zot, të lutemi na mbro nga frika dhe koprracia.

Vetëm Ty të lutemi o Zot, na mbro që mos të na mundin borxhet as mos të na mposhtin njerëzit! Amin!

Burimi: Preporod.com

Përshtati: Miftar Ajdini

(Breziiri)