Muftini

TIKA ndan donacion për paralelen e femrave në “Medresenë Isa Beu” në Tetovë

Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) ka dhuruar një donacion me pajisje teknike për Shkollën e Mesme Islame “Medreseja Isa Beu” në degën e femrave në Tetovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Donacioni përbëhet nga 32 kompjuterë desktop, pesë prozhektorë, katër printerë, tre laptopë si dhe një smartboard.

Koordinator i TIKA-s në Shkup, Aytekin Ayden, njoftoi se këto donacione nuk janë të kufizuara vetëm në Tetovë, por se më herët kanë ndarë donacion të këtillë edhe në Shtip.

Ayden iu referua edhe pengesave që ekzistojnë në konviktin e nxënësve meshkuj në Medresenë në Shkup, duke theksuar se: “Vazhdojmë të punojmë për tejkalimin e atyre pengesave. Shpresojmë se në periudhën e ardhshme, me realizimin e këtij projekti, si presidencë (TIKA) do të japë një kontribut të madh për nxënësit e pjesës së meshkujve të Medresesë në Shkup, që të arsimohen në një hapësirë moderne si dhe të jetojnë në një konvikt më modern dhe më të pastër”.

Duke theksuar se TIKA realizon projekte në shumë fusha, Ayden veçoi fushën e arsimit. Ai shtoi se TIKA përmes projekteve synon të japë një kontribut në zhvillimin e arsimit por edhe të infrastrukturës në vend.

Koordinatori i Medresesë “Isa Beu” në degën e femrave në Tetovë, Beqir Memeti, tha se donacioni i këtillë do të kontribuojë që nxënësit e kësaj shkolle të ndjekin mësimin me standarde më të larta.

“Pranuam një donacion mjaft profitabil dhe mjaft të përshtatshëm për ambientet tona me të cilin investim shpresojmë që cilësia e mësimit në këtë shkollë të jetë shumë më e suksesshme dhe me kohën në të cilën jetojmë”, u shpreh Memeti.

Paralelja e femrave e Shkollës së Mesme Islame “Medreseja Isa Beu” në Tetovë ka filluar në vitin 2004, ndërsa sot në këtë degë mësimin e ndjekin gjithsej 185 nxënëse.