Globus

Suu Kyi, Robinson dhe Fox News fitues të çmimit për “islamofobë më të mirë”

Me qëllim për të treguar problemin në rritje të islamofobisë dhe ksenofobisë në Londër është mbajtur manifestimi me përmbajte satirike, në të cilin janë ndarë çmimet për protagonistët kryesues të islamofobisë në Britani të Madhe dhe botë, raporton Anadolu Agency (AA).

Bëhet fjalë për një manifestim që tashmë disa vite e organizon organizata joqeveritare e Komisionit për të drejta të njeriut, që lufton kundër retorikës anti-islame dhe islamofobe.

Në kategorinë e protagonistit më të mirë të islamofobisë në planin ndërkombëtar çmimin jopopullor e fitoi shefja e diplomacisë dhe de facto drejtuesja e Mianmarit, Aung San Suu Kyi. Shkaku për zgjedhjen e saj është sjellja e saj pasive ndaj dhunës mbi pakicën muslimane në Arakan.

Kyi fitoi në konkurrencën ku ishin të nominuar edhe presidenti amerikan Donald Trump, kryetarja e Frontit Nacional radikal francez, Marine Le Pen dhe kreu i radikalëve holandezë nga Partia e Lirisë, Geert Wilders.

Si islamofob më i mirë në skenën politike në Britani të Madhe është zgjedhur radikali dhe aktivisti Tommy Robinson, ndërsa ishin të nominuar edhe kolumnistja Katie Hopkins, ish-lideri i partisë radikale, Nigel Farage, dhe Anne Marie Eaters dhe shefi i diplomacisë britanike, Boris Johnson.

Në kategorinë e protagonistit më të madh të islamofobisë mes mediave, vendi i parë i takoi Fox Neës, ndërsa u nominuan edhe gazetat “The Daily Mail“ dhe “The Sun“.

Të dhënat zyrtare statistikore të institucioneve britanike tregojnë për rritjen e shkallës së veprave penale të kryera në bazë të urrejtjes ndaj Islamit, veçmas ky problem është intensifikuar pas sulmeve terroriste në Londër dhe Mançester. Në Britani të Madhe jetojnë rreth tre milionë muslimanë, që është rreth pesë për qind e popullatës së përgjithshme britanike.