Sonte fillon Viti i Ri sipas kalendarit islam – 1439

Sipas takvimeve të bashkësive islame shqiptare dhe më gjërë, sonte në mbrëmje, e mërkurë, 20 shtator, me faljen e namazit të akshamit fillon viti i ri i hixhretit, 1439.

Dita e parë e vitit të ri hixhri është nesër, e enjte, 21 shtator, ku fillon muaji i parë islam, muaji muharrem.

Hixhret donë të thotë: Shpërngulja e Muhammedit a.s., me shokët e tij të ndershëm, as’habët, nga Mekkeja për ne Medine, ngjarje kjo e cila ndodhi në vitin 622 sipas Isait. Ky rast paraqet një ngjarje të madhe në historinë e muslimanëve, pasi që, përmes hixhretit, muslimanëve iu mundësua që të bëhen një bashkësi e fuqishëm, mirë e organizuar dhe e përgjegjshëm për t’i zbatuar vlerat e islamit në jetën shoqërore.

Edhe sot e kësaj dite, hixhreti na i dhuron leksionet më të mira se si, muslimanët, duhet të vetë organizohen, të kujdesen vetë për vetveten dhe për të tjerët, të shikojnë të kaluarën e tyre dhe të nxjerrin mësimin e duhur, etj.

Për fat të keq, sot ndodhin hixhrete të mëdha te muslimanët, edhe pse Muhammedi a.s., ka thënë se pas çlirimit të Mekes, nuk ka më hixhret, përsëri shohim se sot nëpër botë, përfshirë muslimanët e Arakanit në Burma, ata të Sirisë, e gjetiu, janë duke bërë hixhret, të ushtruar me dhunë nga forcat vendore të shteteve përkatëse.

Ngelim me shpresë se për ne shqiptarët, ky vit të jetë një kohë e mbarë, me suksese të reja, me paqe të brendshme kombëtare dhe fetare. Po ashtu, lusim Allahun xh.sh., që t’ju dalë në ndihmë të gjithë muslimanëve, anë e kënd botës.

Për hajr dhe urime viti i ri hixhri 1439!

Redaksia e Portalit Breziiri.com

 

 

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply