Globus

Siri, fëmijët në Humus “mbjellin të ardhmen”

379views

Fëmijët e qarqeve të qytetit Humus në Siri, të cilat ndodhen nën rrethimin e regjimit të Bashar al Asadit, po mbjellin fidanë në vend të pemëve të cilat janë djegur për ngrohje, shkruan Anadolu Agency (AA).

Veriu i qytetit të Humusit gjatë pesë viteve është nën rrethimin e regjimit në Siri, ku për afro shtatë vite po vazhdon lufta e brendshme. Në këtë rajon ku jetojnë 250 mijë civilë, familjet janë detyruar që t’i prejnë pemët për t’u ngrohur meqë në rajon nuk mund të futen karburantet dhe regjimi nuk ofron energji elektrike.

Organizatat civile në vend janë duke zhvilluar aktivitete për mbjelljen e fidanëve për të gjelbëruar rajonin si dhe për të dhënë shpresë për fëmijët, viktima të luftës.

Në kuadër të aktivitetit të quajtur “Po e mbjellim të ardhmen”, i cili po mbahet në intervale të caktuara kohore, fëmijët mbjellin dhjetëra fidane në skaje të rrugës dhe në parqe, duke shëtitur me autobus qarqet dhe qytezat e Humusit të cilat janë nën rrethim.

Organizatori i fushatës, kryetari i Shoqatës për Ndihmë dhe Zhvillim “Ihsan”, Hani Sadettin tha se synojnë që së bashku me fëmijët të mbjellin të paktën 300 fidanë në zonën rurale veriore të Humusit.