Globus

Simboli i rezistencës palestineze niset për në Turqi, pritet të takojë presidentin Erdoğan

316views

Palestinezi 16 vjeçar Fevzi el-Xhunejdi i cili muajin e kaluar u bë simbol i rezistencës për Kudsin kundër vendimin të SHBA-ve për të njohur këtë qytet si kryeqytet të Izraelit, nga Bregu i pushtuar Perëndimor është nisur për në Turqi, pas ftesës nga kjo e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).

Xhaxhai i 16 vjeçarit, Reshad al-Xhunejdi tha për AA se nipi i tij është nisur mëngjesin e sotëm nga Ramallahu drejt Turqisë me ftesë të autoriteteve komunale të Stambollit, duke shtuar se aktualisht është në Jordani, nga ku mëngjesin e ditës së nesërme do të niset për në Turqi.

Ndërsa në Turqi, shtoi Reshad, nipi i tij pritet të takohet me president turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe disa zyrtarë tjerë turq.

Ndryshe, djaloshi palestinez u arrestua më 7 dhjetor vitin e kaluar në qytetin Hebron të Bregut Perëndimor, pasi u tërhoq zvarrë me sy të lidhur nga ushtarët izraelitë të cilët ishin të armatosur rëndë.

Pas tre javësh në paraburgim izraelit, ai u lirua me kusht dhe u kthye tek familja e tij më 28 dhjetor.

Në fund të vitit të kaluar, një foto e të riut me sy të lidhur u bë simbol i rezistencës palestineze kundër vendimit të 6 dhjetorit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit, lëvizje kjo që shkaktoi një kundërshtim të hapur nga e gjithë bota arabe dhe muslimane.