Islamisitikë

Sikur të ishin në mesin tonë Salahudini dhe Mehmet Fatihu

886views

Në botën arabe-islame çdo ditë po ndodhin kriza të cilat e arrijnë njëra-tjetrën, andaj arabët janë bërë ekspertë në ankesa, në gjykime të armiqve të Islamit dhe muslimanëve, si dhe në solidaritet me vëllezërit tjerë muslimanë në rrjetet sociale. Natyrisht, ne nuk duam ta nënvlerësojnë një formë të tillë të veprimit, por në këtë nuk guxojmë të ndalemi e ta harrojmë fatkeqësinë, duke u ngushëlluar me faktin se gjithmonë mund të jetë edhe më keq.
Fitohet përshtypja se sot nuk ka asgjë të re në umetin islam, i cili numëron 1.5 miliard muslimanë, përveç rritjes së numrit, rritjes së dhimbjeve e vuajtjeve dhe kalimit të kohës.

Maskat kanë rënë dhe tashmë të gjithë e kanë të qartë, miqtë dhe armiqtë, se lufta e tretë botërore do të jetë në shenjë të sulmeve ndaj vendeve muslimane dhe të dhunës dhe terrorit të paparë kundër muslimanëve, e pra, çka kanë përgatitur muslimanët për këtë luftë?!

Deklarata e Trump-it për Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, në mënyrë të qartë tregoi se vetëdija dhe dinjiteti i kombit arab kanë vdekur, dhe se qëndrimi i arabëve dhe muslimanëve në lidhje me krizën në Lindjen e Mesme ka mbetur i njëjtë. Para nesh janë ditët e ngarkuara me ngjarje, e do të shohim se çka do të na sjellin ato, dhe kur ne, në agresionin dhe terrorin e fuqishëm, do të përgjigjemi me vendosmëri dhe në mënyrë efektive?

Armiqtë për këtë luftë i kanë përgatitur popujt (muslimanë), të cilët janë mësuar me kriza dhe fatkeqësi dhe të cilët janë edukuar për tu poshtëruar; pastaj sunduesit (muslimanë) të cilët janë stërvitur në tradhti dhe mashtrim; si dhe mediat të cilat kanë për detyrë t’i reduktojnë fatkeqësitë dhe vuajtjet e muslimanëve, agresorët dhe pushtuesit t’i paraqesin si paqësorë, ndërsa ata që e mbrojnë vendin e tyre dhe popullin e tyre t’i paraqesin si ekstremistë dhe terroristë. E ne, çka kemi përgatitur?

Brezat që fituan në të gjitha fazat e historisë islame i kanë kurorëzuar përpjekjet e brezave të mëparshëm, etërve dhe nënave të cilët në mënyrë të mirëfilltë i edukuan bijtë dhe bijat dhe të cilët ishin të gatshëm për sakrifica. A do të fitojë brezi i tanishëm, a do të edukojë breza fitues, apo do kënaqet me rolin e vëzhguesit pasiv?

Krizat dhe fatkeqësitë e shkatërrojnë karakterin e fëmijëve dhe ndikojnë në psikikën e brezave të ardhshëm dhe i bëjnë që lehtë të pajtohen me humbjen. Prandaj, ne duhet të jemi rojtar të besimit islam dhe vëllazërisë islame, ne duhet të jemi llamba të krenarisë, model për brezat, para të cilëve janë ngjarjet e mëdha. Umeti islam ka nevojë për ata që do të edukojnë e jo për ata që do të vajtojnë, për ata që muslimanëve do t’ua mësojnë durimin dhe qëndrueshmërinë, jo për ata që do t’ua vrasin vullnetin, për ata që do ta mbjellin farën e shpresës, në mënyrë që bijtë e tyre t’i korrin frytet e fitores.

Ne jemi lodhur nga proklamimet poetike dhe tregimit për Salahudin Ejubin dhe ushtrinë e tij, për Omerin, Sad ibn Ebi Vekasin dhe Halid bin Velidin. Ata e luajtën rolin e tyre, tani ka ardhur koha jonë dhe roli ynë. Paraardhësit tanë të mirë ne nuk do t’i shohim deri në Ditën e Gjykimit, andaj çka do t’u themi atyre për amanetin që na kanë lanë? A do të guxojmë tu themi se Kudsi (Jerusalemi) është i pushtuar, se xhamia Al-Aksa është sulmuar, se Shami është rrënuar dhe shkatërruar?

Prandaj, le t’i lamë ata të kënaqen në hapësirat dhe shpërblimet e xhenetit, të cilat i kanë merituar, kurse ne në shtëpitë tona të edukojmë liderë të cilët do të marrin shembull në mirësinë e Salahudinit, në forcën e Halidit, në trimërinë e Sa’dit, në drejtësinë e Omerit. Le ta edukojmë në shkollat tona një brez, i cili do t’i përngjajë brezit të Sulltan Fatihut dhe ushtrisë së Sejfudin Kutuzit. Le t’i edukojmë njerëzit të cilët do të jenë të gatshëm të sakrifikojnë për fenë dhe për atdheun, jo njerëz të cilët vetëm këndojnë këngë për atdheun e tyre.

Mos u dëshpëroni, sepse dëshpërimi nuk është pjesë e moralit islam. Mos u frikësoni, sepse frikacakët nuk mund ta edukojnë brezin fitues. Mos qani para fëmijëve mbi fatin e hidhur dhe gjendjen e umetit, por mësojuni se si t’ua fshijnë lotët muslimanëve që janë duke qarë. Mbillni në zemrat e tyre dashurinë për fenë dhe atdheun, lexoni dhe studioni së bashku me ta biografitë e heronjve dhe çlirimtarëve muslimanë. Mësojuni atyre se çfarë ishte gjendja e umetit në kohën e pejgamberit Muhamed (savs) dhe shokëve të tij, sepse Sulltan Fatihu nuk është bërë i njohur, përveç me vendosmëri dhe edukimin e duhur nga nëna e tij, e cila çdo mëngjes me të i shikonte muret e Kostandinopojës dhe ia citonte hadithin e Pejgamberit (savs), ku thuhet: “Ju do ta çlironi Kostandinopojën. Sa sundimtar i mrekullueshëm që është ai, dhe sa ushtri e mrekullueshme është ajo që do ta çlirojnë!”

Një edukim i tillë i dha frytet e tij, andaj Muhamed Mehmed Fatihu, në moshën 24 vjeçare, e çliroi Kostandinopojën.
Mos merrni pjesë në edukimin e një brezi me identitet të deformuar, të privuar nga vetë-respektimi dhe dinjiteti. Jo edukoni një brez i cili do ta përfundojë rrugën e fatkeqësisë dhe aksidenteve, por edukoni një brez që do ta shpëtoj umetin dhe do t’ia kthejë atë që e ka humbur. Edukoni një brez i cili do ta çojë lartë flamurin e guximit, krenarisë dhe fitores.

Dhe më në fund, duhet të dimë se Islami do të fitojë me ne ose pa ne, se Kudsi do të çlirohet me ne ose pa ne, se agimi i së vërtetës do të shkëlqejë pa marrë parasysh se sa net të shtypjes dhe padrejtësisë do të zgjasin, por është dallim i madh në mes të atyre që do të marrin pjesë në atë fitore, dhe të atyre që do të jenë të kënaqur me gjendjen poshtëruese dhe jetën e degraduar.

/Ahmed Fuad; Abdusamed Nasuf Bushatliq/; http://saff.ba//

Përshtati: Miftar Ajdini

(Breziiri)