Islamisitikë

Si të përgatitemi për muajin e zgjedhur?

521views

Ka thënë Pejgamberi (savs):

„Në ramazan hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe prangosen shejtanët.“

Muaji i bekuar ramazan është para dyerve tona, po afrohet aroma dhe bukuria e tij, është koha ta pyesim veten se si dhe me çka po e presim atë në këtë vit.

Le të jemi të vetëdijshëm se në muajin ramazan mbyllen dyert e xhehenemit ndërsa hapen dyert e xhenetit. Është transmetuar se sahabët janë përgatitur për muajin ramazan 6 muaj, dhe pastaj e kanë përcjellë 5 muajt e ardhshëm.

Në cilën mënyrë, secili prej nesh po përgatitet për ardhjen e mysafirit tonë më të dashur?

Para së gjithash, ne duhet ta kryejmë vetë-llogaritjen, për t’i parë të metat tona. Duhet t’i rishqyrtojmë veprat dhe qëllimet tona. Mënyra më e mirë për ta përgatitur trupin dhe shpirtin tonë për ardhjen e muajit ramazan, për rritjen e imanit tonë, është agjërimi vullnetar. Ka vlerë të madhe agjërimi të hënën dhe të enjten, pastaj agjërimi në “ditët e bardha”. Agjërimi në ditë të bardha shpërblehet dhjetëfish.

Përveç agjërimit, ditët tona le t’i pasurojmë me nafile. Me anë të namazeve vullnetare, le t’i afrohemi Allahut të Plotfuqishëm dhe t’i mbushim zemrat tona me qetësi.

Le të bëjmë lutje, sepse lutja është thelbi i ibadetit. Le të jemi të vetëdijshëm se me lutje i drejtohemi të Plotfuqishmit, duke lexuar lutje le të jemi të përulur dhe të përkushtuar.

Po na vjen muaji në të cilin ka filluar shpallja e Kuranit. Le të lexojmë Kuran çdo ditë, le ta lexojmë përkthimin dhe të meditojmë, le të përpiqemi t’i kapim mesazhet që gjenden në të.

Përveç ibadeteve të përmendura, le të bëjmë edhe vepra të mira, në mënyrë që ta fitojmë mëshirën dhe faljen e Tij.

Le të jemi bujarë, le t’i ndihmojmë ata që kanë nevojë për ndihmë, le të ndajmë nga ajo që na ka dhënë i Plotfuqishmi.

Le t’i kontrollojmë mendimet tona dhe fjalët tona, sepse agjërimi në muajin ramazan nuk konsiston vetëm në frenimin nga ushqimi dhe pija, por edhe nga kufizimi i gjuhës dhe i dëshirave të shpirtit. Gjuhën le ta përdorim vetëm për përmendjen e Allahut të Plotfuqishëm dhe le të bëjmë tevbe.

Le të shmangemi nga gjithçka që e zvogëlon angazhimin tonë ndaj shehadetit. Le të punojmë për karakterin tonë, duke filluar nga ky moment.

Le t’i pastrojmë shpirtrat tanë dhe rifreskojmë njohuritë tona, le të mësojmë njohuri të reja.

Le të jemi të mirë ndaj të tjerëve, sepse ndoshta pikërisht një vepër e mirë që bëhet për një tjetër neve mund të na sigurojë xhenetin.

Gjithashtu, le të përpiqemi ta praktikojmë Sunetin në të gjitha aspektet e jetës.

Le të mos harrojmë se Allahu i Plotfuqishëm e shtrinë mëshirën e Tij gjatë ditës, për të pranuar pendimin e atyre që kanë mëkatuar gjatë natës, dhe e shtrinë mëshirën e Tij gjatë natës, për ata që kanë mëkatuar gjatë ditës.

Le të përgatitemi për ardhjen e muajit të zgjedhur, që ta arrijmë në të lumturinë dhe mirëqenien.

Pershtati: Miftar Ajdini