Shoqëri

Si arriti Feja islame deri në Uzbekistan?

771views

Nga të dhëna historike, konstatohet se Feja Islame në rajonet e Republikës së Uzbekistanit kishte arritur atëherë kur myslimanët çliruan territoret e Perandorisë Persiane. Sipas këtyre vlerësimeve theksohet se njëri nga komandantët e mirënjohur të myslimanëve në kohën e emevitëve ishte edhe El Ahnef ibn Kajsi, i cili, në krye të një ushtrie myslimane, kishte përparuar drejt zonave të larta të lumit Xhejhun, përkatësisht më 30 h / 650 m. Pastaj, në vitin 55 h / 675 m, përkatësisht gjatë sundimit të Shtetit Emevit (41 – 132 h / 661 – 750 m) u çlirua Buhara (qytet në Uzbekistanin e sotëm), në mënyrë paqësore, një qytet prej qyteteve më të rëndë- sishme të atyre rajoneve.

Mandej gjendja në rajonet në fjalë ishte stabilizuar gjatë udhëheqjes së Kutejbe ibn Muslim El Bahilijut në krahinën e Horasanit(1), gjegjë- sisht në vitin 88 h / 706 m, ngase paraprakisht popullata e atyre rajoneve kishte prishur marrëveshjen e lidhur me myslimanët, kështu që çdo gjë ishte vënë nën kontroll, madje sundimi islam kishte shtrirë ndikimin e vet edhe nëpër zonat përreth lumenjve Xhejhun (Amu Darya) dhe Sejhun (Syr Darya). Pastaj, më 94h / 712m, u ndërtua xhamia e parë në Buhara, e cila llogaritet ende prej gjurmëve më të rëndësishme islame të Buharasë.

Mandej, në kohën e sundimit të kalifit më të drejtë të Dinastisë Emevite, Umer ibn Abdul Azizit (99 – 101h / 717 – 720m), shumë prej mbretërve të zonave përtej lumit Sejhun përqafuan Fenë Islame, bile në mënyrë vullnetare.[1] Kurse në kohën e sundimit të Shtetit Abasit (132 – 656h / 750 – 1258 m), përkatësisht në kohën e udhëheqjes nga kalifi El Mu’tesim (218 – 227h / 833 – 842 m), shumë prej fiseve të Turkistanit përqafuan Islamin.

Më vonë, kalifi Mu’tesim inkuadroi turq si ushtarë të ushtrisë së tij, kështu që në fushën e përhapjes së Fesë Islame nëpër rajonet e Uzbekistanit kishin kontribuar edhe myslimanë të tjerë joarabë, si turqit selxhukë dhe mongolët. Kjo ndodhi gjatë sundimit të tyre në viset e Uzbekistanit të sotëm, dhe kishte ndikuar në shtimin e përhapjes së Islamit në vend. [2][3]

____________________

1) Dr. Muhammed Mahmud Es-sirjani; El Vexhiz fi gjugrafijjetul Alem El Islami, f. 146. Daru Alemil Kutubi, 1997, Rijad.

2) Dr. Muhammed Mahmud Es-sirjani; f. 146.

3) Dituria islame, 292, fq. 38. (Mr. sc. Samir B. Ahmeti)