Nacionale

Shqipëria dhe Kosova përshëndesin Ligjin e gjuhëve në Maqedoni

383views

Krerët shtetëror të Shqipërisë dhe Kosovës kanë mirëpritur Ligjin për përdorimin e gjuhëve të miratuar sot nga Kuvendi i Maqedonisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kuvendi i Maqedonisë me 64 vota për, ndërsa me asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur, votoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve, në lexim të tretë.

Shqipëria përshëndet miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, kanë përshëndetur miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni.

“Përshëndes vendosmërinë për miratimin e ligjit të përdorimit të gjuhës shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë, si një akt i rëndësishëm historik e me rëndësi madhore, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë”, shkruan Meta në reagimin e tij publikuar në rrjetet sociale.

Ndërsa ministri Bushati në një mesazh publikuar në rrjetet sociale thekson se miratimi i këtij ligji është dëshmi e pjekurisë politike dhe mirëkuptimit ndëretnik.

“Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Parlamenti pas refuzimit të presidentit dhe sjelljes obstruksioniste të segmenteve të caktuara të politikës së vjetër në Maqedoni përbën një arritje të rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë. Zbatimi i duhur i ligjit dhe vendosja e mekanizmave të monitorimit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat europiane”, shkruan Bushati.

Ndërkohë votimi i ligjit në fjalë është përshëndetur edhe nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

Haradinaj: Ligji i gjuhëve në Maqedoni, një hap i rëndësishëm për tërë rajonin

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, poashtu ka mirëpritur miratimin e Ligjit për gjuhët, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm jo vetëm për Maqedoninë, por për tërë rajonin.

Përmes një njoftimi me shkrim nga zyra e kryeministrit, Haradinaj është shprehur se miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhës nga Kuvendi i Maqedonisë është hap madhor drejt realizimit të të drejtave të shqiptarëve dhe njëkohësisht i respektimit të vlerës qytetare në një shtet me synime demokratike.

“Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe është përmbushje e obligimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe i respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Vendimi i Kuvendit të Maqedonisë avancon marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve që jetojnë në këtë shtet, nxit zhvillimin demokratik të tij dhe hap perspektivën e vendit drejt integrimeve euroatlantike. Me këtë vendim fillon një epokë e re në marrëdhëniet e brendshme të Maqedonisë dhe njëkohësisht edhe në rrugëtimin e gjithë rajonit drejt BE-së. Uroj Republikën e Maqedonisë për këtë akt të rëndësishëm ligjor dhe mbi të gjitha shtetëror. Por, në veçanti i uroj të gjithë bashkëkombësit tanë në Maqedoni e kudo ku janë, për realizimin e të drejtës së tyre për të qenë të barabartë, një e drejtë që do të hapë rrugën e perspektivës”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Veseli: Miratimi i ligjit do të kontribuojë në marrëdhëniet ndëretnike në mbarë rajonin

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka theksuar se miratimi i Ligjit të gjuhëve shënon një hap të rëndësishëm në përmbushjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe në arritjen e standardeve të larta të realizimit të të drejtave të njeriut, që sipas tij, kërkohen në kuadër të integrimeve Euro-Atlantike.

“Urimet më të përzemërta për bashkëatdhetarët tanë në Maqedoni për përmbushjen e një të drejte legjitime thelbësore. Falënderoj kolegët e mi të Parlamentit të Maqedonisë për miratimin e ligjit të gjuhës, i cili do të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, jo vetëm në këtë shtet por në mbarë rajonin”, ka shkruar Veseli në një postim nëpër rrjete sociale.

Kujtojmë se Ligji për përdorimin e gjuhëve sot u votua sërish në Kuvend, pasi që ai nuk u dekretua nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, me arsyen se është antikushtetues. Pas kësaj, deputetët e VMRO-DPMNE-së, dorëzuan në Kuvend 35.569 amendamente, me të cilat duan ta dëshmojnë se i njëjti ligj është jo-kushtetues dhe të tërhiqet.

Me ligjin për përdorimin e gjuhëve, siç bëjnë të ditur nga Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë, parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror të këtij shteti, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe.