Hutbe

Shpresa e besimtarit është veprimi

999views

Transmetohet se Isai a.s. e kishte parë një plak duke lëvruar tokën, meqë rast e kishte bërë këtë lutje: „O Allah, largoje nga zemra e tij shpresën.“ Në atë moment, plaku e kishte lëshuar plugun dhe ishte ulur. Pas një kohe të shkurtër, Isai a.s. përsëri ishte drejtuar Allahut dhe i kishte thënë: “O Allah, ktheja shpresën.” Plaku ishte ngritur dhe kishte vazhduar të lëvronte.

Isai a.s. e kishte pyetur se pse kishte vepruar ashtu, kurse plaku ishte përgjigjur: “Derisa isha duke lëvruar, shpirti im më tha: Deri kur do të punosh, shih sa shumë je plakur?”, dhe unë e hodha plugun dhe u ula. Mirëpo, pastaj shpirti më tha: Pasha Allahun, duhet të ushqehesh sa të jesh gjallë”, andaj e kapa përsëri plugun dhe vazhdova punën!”

Ajo që e bën njeriun të ndryshëm nga krijesat tjera është shpresa. Gjatë kohës, duke e përshkruar veten, njeriu këtë karakteristikë të vetën e ka përmbledhur në thënien: “Shpresa vdes e fundit”. Është në natyrën e njeriut që gjithmonë të shpresojë se nesër do të jetë më mirë. Kjo shpresë e mban dhe e inkurajon për veprim.

Ashtu si në të gjitha gjërat që mund të shkohet në ekstrem, edhe kur është fjala për shpresën, na përcjell i njëjti rrezik, prandaj, Pejgamberi savs ka paralajmëruar:
„Ajo që më së shumti frikësohem për ju, është shpresa e gjatë dhe ndjekja e pasioneve.“

Shpresa e gjatë njeriun e çon në harresën e ahiretit, kurse ndjekja e pasioneve e largon nga e Vërteta. Nga tregimi për Isain dhe plakun, mësojmë se shpresa duhet ta ketë një masë dhe mos të jetë e zbrazët, por shpresë e cila lëviz në veprim. Pejgamberi savs paralajmëron:
„Atyre që vërsulën pas dynjasë dhe e lakmojnë atë, pastaj bëjnë koprraci, Allahu ju premton varfëri, angazhim dhe brengë, pas së cilës nuk do të kenë lehtësim.”

Shpresa për jetë të gjatë është shpresë e çdo njeriu. Në popull thuhet se vetëm një gjë njerëzit edhe e duan edhe e urrejnë në të njëjtën kohë, e ajo është pleqëria. Pleqërinë të rinjtë e duan, se ajo është shpresa e tyre, kurse të vjetrit e urrejnë, sepse ajo ua shuan shpresat, dhe pas saj nuk vjen asgjë përveç vdekjes. Shpresa e njeriut, në të vërtetë shpresa e besimtarit, duhet të jetë e tillë që të protestojë kundër gjendjes aktuale. Kjo duhet të jetë shpresa e cila të lëvizë në akcion dhe veprim, sepse vetëm si e tillë është e drejtë, dhe vetëm si e tillë është shpresë e besimtarit.

Ebu Derda r.a. kur kishte shkuar në qytetin Hims në Siri, banorëve të atjeshëm u ishte drejtuar me këto fjalë: „A nuk keni turp të ndërtoni shtëpi ku nuk do të jetoni? A nuk keni turp të shpresoni atë që nuk do ta prisni, dhe me lakmi po grumbulloni atë që nuk do ta hani? Ata që ishin para jush ndërtuan objekte të forta, grumbulluan shumë pasuri dhe kishin shpresë për një jetë të gjatë. Mirëpo, sot shtëpi të tyre janë bërë varret, shpresë e tyre është bërë mashtrimi, kurse pasuri u është bërë shkatërrimi i tyre.“

Imam Gazaliu në veprën e tij Mukashefetul-kulub, thekson se Ademi a.s., djalin e tij Shitin a.s. e kishte porositur dhe urdhëruar, që edhe ai gjithashtu t’i porosis fëmijët e tij, thotë:

– Thuaju atyre që të mos qetësohen me dynjanë. Kur mendova se mund të bëhesha i përjetshëm, unë u nxora nga xheneti.
– Thuaju atyre le të mendojnë mirë për pasojat e asaj që bëjnë. Sikur unë të kisha menduar për pasojat, nuk do të më ndodhte dalja nga xheneti.
– Thuaju atyre se kur tu ngushtohet gjoksi për ndonjë punë, atë punë le ta lënë. Unë kur vendosa të provoja frytin e ndaluar, zemra ime u mërzit, por unë nuk e lashë, prandaj për këtë po pendohem.
– Thuaju atyre që të këshillohen për punët e tyre. Sikur të isha këshilluar unë me melekët, nuk do të më gjente dalja nga xheneti.“

Ka shumë gjëra në vendin tonë, në shoqërinë tonë, të papërfunduara, të padefinuara, të parregulluara, dhe shpesh ne shprehjen e pakënaqësisë tonë, të mospajtimit tonë me gjendjen në të cilën jemi, e përfundojmë duke theksuar shpresën, se nesër do të jetë më mirë.

Shpresa e besimtarit, në asnjë mënyrë nuk është, dhe nuk guxon të jetë vetëm me fjalë, ajo është veprim, ajo është akcion. Ajo është shpresa që proteston kundër asaj që, atë që është më mirë nuk po na mundëson tani, sot.

Vëllezër të dashur;

– Shpresa jonë është shpresë e besimtarit, që proteston kundër atyre që qetësohen me dynjanë dhe në mënyrë të paligjshme, haram, dhe në kurrizin tonë dhe të atdheut tonë, ata përvetësojnë për vete.
– Shpresa jonë për një të ardhme më të mirë, më të mirë për fëmijët tanë, duhet të jetë protestë dhe luftë kundër njerëzve të papërgjegjshëm, të paaftë, të pandërgjegjshëm dhe të korruptuar.
– Shpresa jonë për një të ardhme më të mirë, nëse neve nuk na shtynë për veprim sot, ajo më e mira nuk do të vjen. Besimtari gjithmonë mendon për pasojat e asaj që bën.

Plaku nga tregimi në fillim, veten e shtynë të punojë, sepse mendon për pasojat e mospunës tij.
Edhe Ademi a.s. u ankua që për një moment i hoqi nga mendja pasojat e asaj që po bënte.
Shpresa jonë duhet të jetë protestë kundër indiferencës ndaj mëkatit i cili sot ka zënë vend tek njerëzit.

Dijetarët tanë na mësojnë, se nëse duam ta ndryshojmë gjendjen tonë, ne duhet t’i ndryshojmë veprimet tona.
– Ne, për të qenë më mirë, dhe të gjithë duam të jemi më mirë, është e nevojshme që të largohemi nga mëkatet dhe t’i pastrojmë zemrat nga zilia, nga urrejtja dhe nga çdo ankth.
– Ne, për të qenë më mirë, dhe të gjithë duam të jemi më mirë, është e nevojshme të qëndrojmë larg nga çdo gjë që i prish marrëdhëniet midis nesh.

Dëshiron të jetë më mirë por gënjen, dëshiron të jetë më mirë por bën thashetheme, dëshiron të jetë më mirë por mashtron, dëshiron të jetë më mirë por je i gatshëm që për fitim dhe interes personal ta shesësh dhe ta tradhtosh interesin e përbashkët.

Shpresa në të nesërmen më të mirë duhet të na ndryshojë neve. Duhet të jetë protestë kundër sistemit të shkatërruar të vlerave në shoqëri.
– Si do të jetë më mirë nesër, kur sot, në këtë shoqëri më me ndikim dhe më i çmuar është një kafexhi që ka para, sesa mësuesi, profesori apo akademiku?
– Si do të jetë më mirë nesër, kur sot, askush prej atyre që do të duhej, të cilëve ua kemi dhënë pushtetin në dorë, nuk lufton kundër bastoreve, kundër dukurive negative dhe kundër pa perspektivës e cila po ia merr shpirtrat e rinisë sonë?

Në vitet e fundit, a është bërë ndonjë përpjekje për të bërë ligje apo rregullore, të cilat do ta lehtësojnë punësimin e të rinjve, apo do t’ua zgjidhin problemin e banimit, apo të themelimit të familjes?

Shpresat tona janë të kota pa veprime, pa akcion. Ato shpresat tona, për një të nesërme më të mirë, duhet të jenë protestë kundër sundimit të kapitalit të pistë dhe të fituar pandershmërisht.

Shpresa jonë, e besimtarit duhet të jetë luftë për sundimin e ligjit, për barazi para ligjit, dhe për krijimin e një shoqërie, në të cilën të gjithëve do tu ofrohen shanse të barabarta për sukses.
Shpresa jonë nuk do t’i heq zinxhirët nga portat e mbyllura të fabrikave tona, por ata do t’i heq veprimi dhe akcioni.

Shpresa jonë e kotë, nuk do t’i ndërtojë rrugët, nuk do t’i hap fabrikat, dhe nuk do të mundësojë që këtu të lindin dhe të rriten fëmijët, fëmijët tanë, dhe jo në kryeqytetet e largëta dhe të ftohta evropiane, por këtë mund ta bëjë veprimi dhe akcioni.
Shpresa e besimtarit është akcioni dhe puna, ajo është protest kundër të tashmes për një të ardhme më të mirë.

O Zot i Lartëmadhërishëm, na ndihmo. Amin!

Hatibi: Izet ef. Çamxhiq;

Përshtati: Miftar Ajdini