Shoqëria ateiste është e ngjashme me shtëpinë e merimangës

Merimanga është një nga krijesat më të çuditshme në botën e gjallesave. Shumica e qenieve në Tokë shumohen, bashkohen dhe formojnë sistem shoqëror në jetën e tyre. Merimanga qëndron e vetme në jetën e saj që nga lindja deri në vdekje.

Përkundër aftësive inxhinierike mahnitëse të merimangës në endjen e fijeve dhe shpejtësisë së lëvizjes, ajo është krijesë shkatërruese dhe rrënuese për ata rreth saj dhe për shtëpinë që e ndërton. Të ngjashëm me merimangën janë edhe ata njerëz të cilët janë larguar nga Allahu dhe udhëzimet e Tij, fati i tyre është si fati i merimangës dhe ai është në shenjë të izolimit dhe vetë-shkatërrimit.

Prandaj, le ta shqyrtojmë këtë jetë shoqërore të shkatërruar e cila bazohet në rrënim, vandalizëm dhe vrasje.

Trashësia e rrjetës së merimangës është 0,001 – 0,004 mm, dmth. e njëmijta pjesë e milimetrit. Kjo fije është shumë elastike dhe gjatësia e saj mund të rritet për 140 %. Shkencëtarët thonë se trashësia e fijes së merimangës është 30 deri në 80 herë më e vogël se trashësia e fijes së flokëve të njeriut, dhe nëse doni të imagjinoni dallimin në mes të fijes së flokëve dhe fijes së merimangës, atëherë imagjinoni dallimin në mes trashësisë së litarit dhe perit.

Dr. Turner thotë se shkencëtarët kanë filluar të pyesin se a mund të përdoret merimanga për të prodhuar substanca të proteinave ashtu siç përdoret krimbi i mëndafshit për prodhimin e fijeve të mëndafshit. “Problemi është se merimangat janë insekte të cilat është vështirë për t’u kontrolluar dhe përshtatur, dhe se merimangat janë insekte individuale dhe agresive”, përfundon Dr. Turner. Ky ekspert shton se “nëse do t’i vendosnim dhjetë mijë merimanga në një dhomë, pas një kohe të caktuar do ta gjenim vetëm një merimangë, të gjallë – atë më të fortën, kurse të gjitha të tjerat do të jenë të ngordhura për shkak të konkurrencës së fortë dhe konfliktit mes tyre.”

Shtëpia e merimangës është gjithashtu një nga shtëpitë më të çuditshme në botën e qenieve të gjalla. Në fakt, merimanga femër e ndërton “shtëpinë” në atë mënyrë që e thur rrjetën mes drunjve dhe në vende që i godet era, krejt me qëllim që në rrjet ose në shtëpi të kapet preja, dhe jo për të jetuar në të. Ndryshe nga merimangat, milingonat ndërtojnë banesa dhe shtëpi reale dhe të vërteta në të cilat ka dhoma për hedhjen e vezëve, dhoma për rritjen e pasardhësve (fëmijëve), dhoma që shërbejnë si depo të ushqimit e kështu me radhë. Pra, në botën e milingonave ekziston një sistem i rrumbullakosur dhe i përsosur i jetës.

Në botën e bletëve, gjejmë saktësi, rend dhe bashkëpunim për ta prodhuar ilaçin më të mirë që ekziston në natyrë, që është mjalti. Mijëra bletë marrin pjesë në ndërtimin e qelizave (stacioneve) gjashtëkëndore, si dhe në ngritjen e pasardhësve dhe kujdesit për ta.

Megjithatë, në botën e merimangave ka një kaos, ku merimanga jeton vetëm gjatë gjithë jetës së saj, sepse nuk ka asnjë formë të jetës shoqërore në botën e merimangës. Pra, merimanga është simbol i grabitjes dhe izolimit në botën natyrore.

Bazuar në këtë, ne e kuptojmë domethënien e fjalëve të Allahut të Plotfuqishëm:

“Shembulli i atyre që kanë marrë ndihmës, pos Perëndisë, – është si shembulli i merimangës, e cila ka ndërtuar për vete shtëpinë (për t’u ruajtur), e shtëpia më e dobët është rrjeti i merimangës. Sikur ta dinin (këtë) ata!” (el-Ankebut, 41)

Autor: Abdusamed Nasuf Bushatliq

Përshtati: Miftar Ajdini

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply