Shkup, hidhet gurthemeli i Xhamisë Qendrore në Fushë Topanë

Kreu i Bashkësia Fetare Islame në vend së bashku me përfaqësues të Fondacionit Turk për Çështje Fetare kanë hedhur sot gurthemelin e kompleksit të xhamisë që do të ndërtohet në lagjen Fushë Topanë në Shkup. Në ceremoninë e gurthemelit, kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, në fjalën e tij theksoi nevojën për të qenë krenarë dhe të lumtur në këtë ditë të hedhjes së gurthemelit të xhamisë, duke i cilësuar xhamitë si vende ku mbrohet feja dhe identiteti fetar dhe kombëtar.

Sulejman Rexhepi, Kreu i BFI-së
“Sot duhet të ndihemi tepër krenar në këtë ditë kur ne hudhim gurthemelin e këtij tempulli të shenjtë, nga i cili asnjëherë nuk pritet të prodhohet diçka e keqe. Në të zbatohet feja, në të kultivohet feja, në të mbrohet identiteti jonë fetaro-kombëtar, pa marrë parasysh përkatësitë tona etnike, ne jemi vëllezër dhe si të tillë duhet të respektohemi dhe njëri tjetrin duhet ta ndihmojmë”.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Turke për Çështje Fetare Yüksel Salman tha se që nga fillimi e deri më sot xhamitë kanë pasur një rol qendror për pastrimin shpirtëror të shoqërive dhe bashkimin mes njerëzve.

Jyksel Salman, zv/drejtori i Drejtorisë Turke për Çështje Fetare
“Besojmë se edhe kjo faltore së cilës iu hodh gurthemeli do të rrisë dashurinë mes njerëzve të dy shteteve që kanë ndjenjat e njëjta dhe ndajnë besimin e njëjtë. Ajo po ashtu do të jetë hap i rëndësishëm për avancimin e mëtutjeshëm të miqësisë mes Turqisë dhe Maqedonisë”.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, përfaqësues nga ambasada e Turqisë në Shkup si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme në vend. Xhamia do të jetë në formë kompleksi i cili do të ketë parking të mbyllur, kurse të Kur’anit, salla konferencash, gjelltore, shatërvane dhe objektin administrativ. Ndërtimi i xhamisë do të financohet nga ana e Fondacionit Turk për Çështje Fetare.

(ShenjaTV)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply