Shkaku i Skënderbeut, kërcënohet me jetë myftiu i Tiranës

Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, teksa ka dhënë një sqarim për “mbulimin” e Skënderbeut me ekran gjatë faljes së namazit, tha se kanë qenë më së shumti kushtet teknike që kanë çuar aty, por pa e pasur si qëllim.

“Dua të jap një sqarim publik për vëllezërit katolikë e ortodoksë. Nuk kemi pasur asnjë qëllim të fyejmë apo të mbulojmë Skënderbeun. Ai është Heroi Kombëtar i shqiptarëve dhe as nga ana fetare, as nga historike prania e monumentit të tij në shesh nuk përbën asnjë problem për myslimanët, as për faljen e namazit”, tha ai për Gazetën Shqiptare.

Myftiu i Tiranës shprehu keqardhjen për mënyrën si është perceptuar dhe rrëfeu se “unë kam marrë kërcënime me jetë” për shkak të imazheve që qarkullojnë dhe perceptimit të krijuar se myslimanët e mbuluan monumentin e Skënderbeut gjatë faljes se mëngjesit.

“Për këtë arsye, dua të jap një sqarim publik për gjithë vëllezërit katolikë që janë të ndjeshëm. Montimi i gjithë asaj skenës aty, e para e punës është bërë natën. Çka do të thotë se është më e vështirë ta shohësh dhe më e vështirë të punohet. Teknikët e kanë gjykuar siç po gjykohet atë strukturë”, shprehet ai.

Myftiu kujton se në disa koncerte të bërë në sheshin e ri, praktikisht Skënderbeu është fshehur dhe asnjëherë s’ka qenë e qëllimtë.”

“Nuk ka pasur kurrsesi një qëllim as këtë herë, e kanë parë më të lehtë montimin e funksionimin e led-uolleve. Njëri prej led uolleve duhet të shihet nga zonjat që falen, e që kanë qenë në krah të djathtë. Ndaj ekranet duhet të kishin një farë pjerrësie. Por kurrsesi, theksoj, se nuk ka kurrsesi tendencë. Nuk ka sepse pasi edhe Bajramin e parë, falja u krye me monumentin aty”, tha myftiu.

 

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply