AktualiteteXhami

Seminar fetar me nxënësit në xhaminë e Regensdorfit

65views

Më 27 tetor 2018 xhamia shqiptare në Regensdorf të Cyrihut organizoi një seminar me nxënësit e klasave të larta të shkollës fillore, të cilët e ndjekin mësimin islam në Mektebin e xhamisë.

Në të morën pjesë afro 45 nxënëse dhe nxënës, nën kujdesin e imamit mr. Ferit ef. Zekiri. Ndërsa si ligjërues në këtë seminar ishte imami i xhamisë shqiptare në Kreuzlingen të Thurgaus, mr. Rejhan ef. Nezirin.

Qëllimi i seminarit ishte ofrimi i njohurive të përgjithshme mbi fenë islame si dhe në veçanti mbi pozitën e Isait a.s. në Islam, krahasuar me atë që ka ai në fenë krishtere, në gjuhën që nxënësit e njohin më mirë, pra në gjuhën gjermane.

Pas pritjes me croissant dhe kafe e pije nga ora 10:00 e mëngjesit, ligjërata e parë filloi në ora 10:30 me titull: “Der Islam – Ein Überblick (Islami – një pasqyrë e përgjithshme)”, në të cilën ligjëruesi fillimisht foli për kuptimin e fjalës “Islam” dhe për karakterin paqësor që ai ka në mësimet e tij, përkundër asaj që me pa të drejtë i vishet atij. Pastaj foli për bazat e besimit islam, për pesë shtyllat e fesë si dhe për festat dhe datat me rëndësi në fenë islame.

Pas një pauze prej një çerek ore, imam Neziri mbajti ligjëratën e tij të dytë me titull: “Isa a.s. (Jesus) im Islam (Isai a.s. [Jezusi] në Islam)”. Me këtë rast ai foli për prejardhjen e Isait a.s., për lindjen e mrekullueshme të tij, për profetësinë e tij, për mrekullitë tjera të tij, për misionin dhe mësimet e tij të përgjithshme, për moskryqëzimin e tij, për ngritjen e tij në qiell si dhe për rikthimin e tij në tokë para Kijametit, gjithnjë sipas mësimeve islame duke i theksuar edhe dallimet në këto pika që ekzistojnë midis Islamit dhe Krishterimit.

Sikur edhe herave të tjera, pas ligjëratave, të pranishmit patën mundësinë të parashtronin pyetje lidhur me temat e shtjelluara. Gjuha e ligjërimit si duket e shtoi në masë të konsiderueshme interesimin e të pranishmëve, gjë që u reflektua si gjatë ligjëratave, gjatë pyetjeve, po ashtu edhe më pas në takimet tona me ta.

Pas faljes së namazit të drekës në mënyrë të përbashkët, për nxënësit pjesëmarrës xhamia jonë shtroi një drekë modeste.

Në fund të programit, imami i xhamisë, Ferit ef. Zekiri, të pranishmëve u dorëzoi nga një libër për Islamin të përgatitur nga imam Neziri “Mein Islambuch” si dhe nga një certifikatë për pjesëmarrje.

“Ngelim me shpresën që seminare të këtilla të vazhdojmë të mbajmë edhe në vitet e ardhshme. Po ashtu, me këtë rast, ne si xhami kësi lloj seminaresh me nxënësit dhe të rinjtë u rekomandojmë edhe xhamive tona simotra këtu në Zvicër”, është shprehur imami i xhamisë së Regensdorfit, Mr. Ferit ef. Zeqiri.