Sa duhet të zgjas gjidhënia?

Esselamu alejkum hoxha jonë!Islami e ka obliguar gjidhënien me  minimum një vjet e gjysë deri në dy vjet, por unë kam dëgjuar prej do feministeve muslimane se ajeti në fjalë nuk nënkupton domosdoshmëri por pëlqim! Pyetja është: Sa është obligim kohëzgjatja e gjidhënies dhe pyetja, e dytë, dijetarët e kanë caktuar kohëzgjatjen e gjidhënies por nuk e kanë potencuar se a është e lejuar bashkërisht me gjidhënien fëmija të ushqehet me ndonjë ushqim tjetër krahas kësaj, qoftë edhe me qumësht nga kafshët?

Përgjigjja:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

Elhamdu lilah, ves-salatu ves-selamu ala resulil-lah ve ba’d.

I nderuar, nëse çështjen e gjidhënies e hulumtojmë në Fjalën hyjnore (Kur’an), vërejmë se nocioni gjidhënie në tw, bashkërisht me derivatet e kësaj fjale, është theksuar 14 herë, në 7 sure dhe në 8 ajete kur’anore. Kjo na jep të kuptojmë peshën dhe rëndësinë që i kushtoi Kur’ani famëlartë kësaj çështjeje jetike, për të formuar një individ dhe shoqëri të shëndoshë. Nëse prindërit, respektivisht nëna dëshron të kompletojë gjidhënien, ajo është e detyruar për dy vite të plota, e këtë saktësisht e përshkruan Kur’ani Famëlartë ku thotë: “Nënat, ato që duan ta plotësojnë gjidhënien, janë të obliguara t’u japin gji fëmijëve të vet dy vjet të plota. I ati i fëmijës është i obliguar për furnizimin dhe veshmbathjen e tyre (gruas) ashtu si është rregulli. Askush nuk ngarkohet më tepër, vetëm aq sa ka mundësi. Asnjë nënë nuk bën të dëmtohet me fëmijën e saj, e as babai me fëmijën e tij. Po ashtu është i obliguar edhe trashëgimtari (i fëmijës). E nëse pas një konsultimi dhe pëlqimi (prindërit) shfaqin dëshirën për ndërprerjen (më herët) e gjinit, nuk është ndonjë mëkat për ta. Nëse ju (baballarët) për fëmijën tuaj dëshironi gjidhënëse tjetër me kusht që pagesën t’ia bëni në mënyrë të duhur, nuk është ndonjë mëkat. Kini frikë nga All-llahu dhe dijeni se All-llahu sheh çka punoni.” (El-Bekare, 233)

Nëse ajetit në fjalë i bëjmë studim analitik, vërejmë me lehtësi se dispozita e gjidhënies, përveç faktit se është detyrim human, mbi të gjitha është detyrim fetar dhe njerëzor, sepse gjiri i nënës është burimi esencial e natyral për ushqimin e fëmijës, kurse format e tjera të ushqimit artificial të fëmijës na paraqiten vetëm në rastet aksidentale, si forma alternative, atëherë kur nuk ekziston mundësia e ushqimit të fëmijës në mënyrë direkte nga gjiri i nënës.

Derisa themi se është detyrim fetar, vetvetiu nënkuptohet se për kryerjen apo mos kryerjen e këtij detyrimi ekziston edhe përgjegjësia. Ruajtjen e kësaj natyrshmërie të fëmijës, thithjes nga gjiu i nënës së tij, absorbimi i ndjenjës dhe dashurisë së nënës që e përfiton fëmija përmes gjidhënies, si dhe të luajturit dhe kënaqësia me gjirin e nënës, Islami i trajton si të drejta themelore të fëmijës, dhe si obligim dhe përgjegjësi e prindërve të tij. Kjo përgjegjësi sipas së drejtës islame, nuk përkufizohet vetëm te nëna e fëmijës, porse në te përfshihet edhe i ati i fëmijës, i cili ka për obligim ligjor, islam, moral dhe njerëzor që t’i sigurojë fëmijës mundësinë e realizimit të të drejtave të tij, kurse nënës së fëmijës t’i sigurojë mirëqenie, furnizim dhe kushte të tjera që i mundësojnë fëmijës t’i shfrytëzojë te nëna e tij. Kjo përgjegjësi sipas së drejtës islame, nuk përfundon vetëm te prindi i fëmijës, porse në mungesë të prindit, për realizimin e kësaj të drejte te fëmija, janë të obliguar edhe trashëgimtarët e tij varësisht nga kategoria e afrimit tek ai.

Argumenti që vërteton detyrimin e nënës për gjidhënien dhe që rritë shkallën e përgjegjësisë, është edhe fakti që e drejta Islame (Sheriati), për hir të ruajtjes së interesit dhe natyrshmërisë së fëmijës, si dhe për realizimin e së drejtës themelore të fëmijës, nënën e cila ka fëmijën e saj në gji, përkohësisht e liroi edhe nga obligimi i agjërimit, vetëm e vetëm që të mos dëmtohet shëndeti i fëmijës. Në rastet kur e ëma e fëmijës nuk ka mundësi të ushqejë fëmijën e saj me gjirin e saj, për arsye të ndryshme, atëherë i ati detyrohet që fëmijës t’i sigurojë ndonjë grua tjetër për gjidhënjen dhe të paguaj për këtë aq sa ka nevojë, e assesi ta orientojë fëmijën drejt ushqimit artificial. Në këtë rast, nëse fëmija thithë nga ndonjë grua tjetër përveç nënës së tij, gruaja e tjetër konsiderohet nëna e tij nga qumështi dhe mes tyre formohet një lidhje tjetër nga qumështi, ku përfitohen norma  të tjera që rregullojnë këtë tematikë nga e drejta familjare.

Bazuar në këto fakte, konsiderojmë se nëna e cila i ikë përgjegjësisë së gjidhënies pa arsye, nuk i plotëson kriteret e një nëne të mëshirshme ndaj fëmijës së saj siç e përshkruan Islami. Kjo, gjithashtu, përforcohet me thënien e Omer b., Hatabit r.a. kur një nëne e cila nuk e ushqente fëmijën e me gjirin e saj për interesa mediokre i pat thënë: “Sa nënë e keqe dhe e pa mëshirshme që je.”

Nuk ka pengesë nëse fëmija ushqehet edhe me ushqime  të tjera krahas gjirit të nënës, por ushqim kryesor është gjiri i nënës deri në moshën 2 vjeçare,  siç përshkruan Kur’ani.

Ve bil-lahi teufik!

________________
Jusuf Zimeri

www.breziiri.com

Artikuj të ngjashëm: