Rritet tensioni: Arabia Saudite u kërkon qytetarëve të vet të largohen nga Libani

Arabia Saudite u ka kërkuar qytetarëve të saj në Liban të largohen nga vendi, menjëherë. Po ashtu, qeveria apeloi sauditët të mos udhëtojnë në këtë vend, në një përshkallëzim të tensioneve mes dy shteteve.

Tensionet u shtuan që prej dorëheqjes së kryeministrit të Libanit, që mbështetet nga sauditët, Saad Hariri me argumentin se i druhej një komploti për vrasje.

Arabia Saudite, gjithashtu, akuzoi grupin militant të mbështetur nga Irani, Hezbollahët se kanë lëshuar një raketë ndaj saj prej Jemenit. Shumë libanezë druhen se vendi i tyre po shndërrohet në një vatër përleshjesh në një konflikt më të gjerë midis Arabisë Saudite, fuqisë me shumicë sunite, dhe Iranit të drejtuar nga shiitët, që është edhe rivali më i madh rajonal i saj.

Në Liban, fraksione të ndryshme politike i kanë kërkuar Haririt të rikthehet, pasi besojnë se dorëheqja e tij ka qenë nën presionin e sauditëve.

Në një njoftim të papritur, kryeministri francez Emmanuel Macron i cili ndodhet në një udhëtim në Lindjen e Mesme, njoftoi se do të vizitojë Arabinë Saudite të enjten në mbrëmje. Ai tha se do të diskutojë Libanin dhe Jemenin me princin saudit të kurorës, Mohammed bin Salman, duke shtuar se ka qenë në kontakte informale me Haririn. /tesheshi.com/

Artikuj të ngjashëm: