Rritet numri automjeteve elektrike në Evropë

Sipas një raporti të Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve kërkesa për automjete me karburant alternativ në BE është rritur për 38 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2017.

Kërkesa për automjete me karburant alternativ në vendet e Bashkimit Evropian, në tremujorin e dytë të vitit 2017 është rritur për 38 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose më saktë bëhet fjalë për 204 mijë e 502 më shumë makina elektrike në trafik.

Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automjeteve (SHEPA) thotë se në përgjithësi regjistrimet e automjeteve elektrike janë rritur me 45,8 për qind, ose më saktë nga 34.015 autovetura elektrike të shitura në tremujorin e dytë të vitit 2016, në 49.589 njësi të shitura në të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Gjermania është shteti me numrin më të madh të automjeteve elektrike të regjistruara së fundmi me 12.137 copë, e ndjekur nga Britania e Madhe me 10.279 makina elektrike.

“Kërkesa për automjete me bateri është rritur me 49,7 për qind, ndërkohë që kërkesa për vetura elektrike të karikueshme është rritur për 42,3 për qind”, thuhet në raportin e SHEPA-s.

“Gjithashtu është rritur në shifra të konsiderueshme edhe kërkesa për automjetet e reja hibride. E shprehur në përqindje kjo rritje është 61,1 për qind, ose e shprehur në shifra gjithsej 102.969 automjete (hibrid) të shitura në tre muajt e dytë të vitit”, thuhet më tej në raport.

Regjistrimet e veturave të reja me motor me djegie propani ose gazi natyror, janë rritur me 333 për qind.

Në Evropë, Rumania shënoi rritjen më të madhe në regjistrimet e automjeteve me karburant alternativ, gjithsej 289,2 për qind. Rumania ndiqet nga Sllovakia me një rritje prej 231,4 për qind dhe Bullgaria me 213 për qind.


 

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply