Histori islame

Rob i zi, por evlija

1.03Kviews

Transmetohet nga Abdullah ibn Mubarek se ka thënë:

“E kam vizituar Mekën gjatë kohës së një thatësire të madhe, dhe njerëzit po bënin lutje për shi në Qabe (Mesxhidul-haram).  Unë isha me një grup te dera ‘Benu Shejbe’, kur u shfaq një rob i zi, me dy copa rroba të trasha prej liri. Me njërën pjesë e kishte mbuluar trupin, kurse tjetrën e kishte hedhur mbi shpatullat e tij, pastaj u largua mënjanë, ndërsa unë e dëgjova duke bërë lutje, në të cilën thoshte:

“O Allahu im, njerëzit janë rraskapitur dhe lodhur nga mëkatet e shumta dhe veprat e këqija, andaj Ti na e ke ndalur shiun si masë paralajmëruese dhe edukative. Të lutem, o Zot i Butë dhe i Mëshirshëm, nga i Cili na vjen vetëm e mira dhe e bukura, na lësho shiun në këtë moment!”

Dhe nuk po ndalej duke thënë: “në këtë moment, në këtë moment!”, derisa qielli u vesh me re dhe shiu filloi të binte. Pastaj u ul në vendin e tij dhe e falënderoi Allahun, kurse unë qava. Kur doli nga Mesxhidul-harami unë e ndoqa për të mësuar se ku jeton.

Pas kësaj shkova te Fudajl ibn Ijadi, i cili kur më pa, më tha: “Çka ke, pse je kaq i shqetësuar?”

Unë iu përgjigja: “Të tjerët na kanë paraprirë tek Allahu, o Fudajli im, dhe Allahu i zgjodhi ata për të dashur të Tij (evlija).

Ai më pyeti: ‘Kush është ai, për kënd e ke fjalën?’

Unë ia tregova tregimin për robin e zi dhe lutjen e tij, kurse ai duke dënesur ra në dysheme, pastaj tha: “Më dërgo tek ai robi i zi.”

Unë i thashë: “Tash nuk kam kohë, por unë do të pyes e do të interesohem për të”.

Ditën tjetër, e fala sabahun dhe shkova deri te shtëpia në të cilën dje hyri robi i zi. Para shtëpisë ishte ulur një plak dhe kur më pa mua, më njohu dhe më tha:

“Mirë se erdhe, o Ebu Abdurrahman! Çfarë nevoje të solli tek unë?”

Unë i thashë: “Po e kërkoj një rob të zi.”

Atëherë ai më tha: “Unë i kam disa, por ti vet zgjidhe cili të pëlqen.” Pastaj ai thirri dhe para nesh u shfaq një rob i zi, i ri dhe i fuqishëm, ndërsa pronari më tha: ‘Ja, merre këtë.’

Unë iu përgjigja: ‘Nuk më nevojitet ky.’

Pastaj dolën një nga një disa robër, derisa doli robi i zi, të cilin e pashë në Mesxhidul-haram. U gëzova dhe i thashë: “E dua këtë rob.’

Pronari i tij tha: ‘Jo, atë nuk dua ta shes.’

‘Pse?’ e pyeta unë.

Ai u përgjigj: “Ai më sjell bereqet në shtëpi dhe nuk më kushton asgjë.”

Unë e pyeta: “Si ushqehet ai?”

Më tha: “E fiton një dërhem nga thurja dhe blen ushqim për vete, nëse nuk fiton, atë ditë nuk han asgjë. Robërit e tjerë më kanë thënë se ai natën fle shumë pak, kurse pjesën më të madhe të saj e kalon duke falur namaz nate. Kur është i lirë, nuk e kalon kohën me ta në biseda boshe, por është i angazhuar me ibadet, kështu disi më ka hyrë në zemër.”

Unë i thashë: “Në rregull, atëherë po shkoj te Sufjan Thevriu dhe Fudajl ibn Ijadi pa kryer punë.”

Atëherë ai më tha: “Për mua ka rëndësi ardhja jote. Merre këtë rob me vete.”

Unë e mora robin me vete dhe u nisëm për në shtëpinë e Fudajlit. Derisa po ecnim rrugës, ai për një moment, më thirri: ‘O zotëri!’ Unë i thashë: “Urdhëro!”

Kurse ai më tha: “Ti nuk duhet t’i përgjigjesh robit me: ‘urdhëro’, këtë duhet ta thotë robi!”

Unë e pyeta: “A ke ndonjë nevojë?”

Ai u përgjigj: “Unë kam trup të dobët dhe të thatë, nuk mund të shërbejë si duhet, ju keni pasur mundësi që ta blini ndonjë rob shumë më të fortë se unë, pse nuk e keni bërë?”

Unë i thashë: “Unë nuk të kam blerë për të më shërbyer mua, por unë dua lirimin tënd, dua ta blej një shtëpi për ty dhe që ti të martohesh, pastaj unë dua që të jam në shërbimin tënd, dhe jo ti të më shërbesh mua!”

Atëherë ai qau, kurse unë e pyeta: “Pse po qan?”

Ai u përgjigj: “Ti nuk e ke bërë këtë, përveç pasi më ke parë dhe mi ke zbuluar disa begati, të cilat mi ka dhuruar Allahu për shkak të ibadetit tim, përndryshe me siguri do ta kishte zgjedhur një rob më të fortë dhe më të shëndetshëm.”

Unë i thashë atij: “Nuk ka nevojë që ta përmendim këtë tani.”

Në këtë ai më tha: “Pash Allahun, më jep përgjigje në pyetjen time?”

I thashë: “Po, kjo është për shkak se unë të pashë që Allahu e pranoi lutjen tënde për shi.”

Ai tha: “Unë mendoj se ti je njeri i mirë, sepse Allahu nuk ia zbulon gjendjen e robërve të Tij të zgjedhur, përveç atyre që i do dhe me të cilët Ai është i kënaqur.”

Pastaj tha: “A mund të më presësh pak që t’i fali disa rekate namaz nafile, të cilat më kanë mbetur nga dita e djeshme?”

Unë i thashë atij: “Ne gati kemi arritur te shtëpia e Fudajl ibn Ijadit.”

Ai u përgjigj: “Jo, dua të falem këtu, në xhami.”

Pastaj hyri në xhami dhe u fal derisa e përmbushi atë që donte, e pastaj u kthye kah unë dhe më pyeti: ‘O Ebu Abdurrahman, a ke ndonjë nevojë?’

Unë e pyeta: “Pse?” Ai tha: “Sepse dua të shkoj.”

E pyeta: “Ku?” U përgjigj: “Për në botën tjetër.”

Unë i thashë: ‘Mos e bëj, më lejo të të shërbej!’

Ai më tha: “Jeta ishte e bukur, derisa marrëdhënia ime ndaj Allahut ishte vetëm mes meje dhe Allahut të Plotfuqishëm, kurse pastaj, kur ti këtë e ke zbuluar dhe e ke parë, do ta shohin edhe të tjerët, dhe unë për atë nuk kam nevojë.”

Pastaj ra me fytyrë në sexhde, dhe më pas e dëgjova duke thënë: “O Allahu im, më vdis mua në këtë moment, në këtë moment!”

Kur iu afrova, e pashë se ai tashmë kishte vdekur.

Pasha Allahun, saherë që e kam kujtuar, jam pikëlluar, dhe këtë botë në sytë e mi e kam përçmuar.”

Abdusamed Nasuf Bushatliq; Burimi: Ibnul-Xhevzi, El-muntedham fi tarihil-muluk vel-umem, VIII/223-225;

Përshtati: Miftar Ajdini