Globus

Qytetarët e Gazës kërkojnë rindërtimin e shtëpive të tyre

Qytetarët e Gazës, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar gjatë sulmeve të Izraelit, organizuan protestë për shkak të vonesës së rindërtimit të shtëpive të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra persona, shtëpitë e të cilëve janë rrënuar në sulmet e realizuara gjatë vitit 2014 në Gaza, u mblodhën përballë Ministrisë së Strehimit dhe kërkuan shpejtimin e aktiviteteve të rindërtimit.

Protestuesit, në mesin e të cilëve ndodheshin edhe fëmijët mbanin pankarta me mbishkrime “Ku është rindërtimi”, “Kërkojmë rindërtimin e shtëpive tona të rrënuara”, “Kërkojmë largimin e bllokadës”.

Jusuf Dervish, njëri prej atyre të cilëve iu është rrënuar shtëpia gjatë sulmeve, gjatë fjalimit të tij në protestë kërkoi mbështetje nga Qeveria e Pajtimit të Palestinës për rindërtimin e shtëpive të tyre.

“Na shkatërruan shtëpitë tona. Ne duam që të gjendet një zgjidhje për rindërtimin e shtëpive tona. Jemi në kushte të vështira për shkak të bllokadës së Izraelit. Si të gjithë popujt e botës edhe ne duam një jetë të ndershme”, thotë Dervish, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të marrë përgjegjësi ndaj viktimave të sulmeve.

Ndërkohë, 2 mijë e 320 persona humbën jetën, 10 mijë ndërtesa ishin djegur plotësisht dhe dhjetëra mijëra shtëpi ishin dëmtuar gjatë sulmeve 51 ditëshe të Izraelit ndaj Gazës në vitin 2014, Shtetet donatorë të cilët në muajin tetor të vitit 2014 morën pjesë në konferencën ndërkombëtare “Rindërtimi i Gazës” të mbajtur në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, ishin zotuar se do të japin ndihmë në vlerë prej 5,4 miliardë dollarësh, gjysma e së cilës do të përdorej për rindërtimin e rajonit dhe gjysma tjetër për ndihma humanitare. Zyra e Kryeministrit të Palestinës kishte njoftuar se te ata ka arritur vetëm më pak se gjysma e zotimeve në fjalë.