Ibadat

Pse nuk lexohet Fatihaja në namazin e xhenazes?

Përse nuk lexohet “Fatihaja”(si lexim Kur’ani) në namazin e xhenazes sipas medh-hebit hanefij?

Leximi i fatihas është vaxhib në çdo rekat të çdo namazi përveç në namazin e xhenazes, nëse lexohet fatihaja në namazin e xhenazes me qëllim duaje lejohet, e nëse lexohet me qëllim të leximit të Kur’anit prishet namazi (shiko Mebsutin-Hanefij) .

Transmetohet nga Ibni Mes-Udi رضي الله عنه se është pyetur për namazin e xhenazes, a lexohet nga Kur’ani diçka? Ibni Mes-Udi رضي الله عنه është përgjigjur: Nuk na ka obliguar i dërguari i Allahut me lexim Kur’ani, në një transmetim tjetër; lutej dhe nuk lexonte asgjë nga Kur’ani, mirrte tekbir si merr imami dhe përzgjidhte lutjet më të bukura për të vdekurin.

Transmetohet nga Abdurrahman bin Auf dhe Ibni Umer رضي الله عنهما se kanë thënë: “Nuk lexohet në namazin e xhenazes asgjë nga Kur’ani për arsye se u ligjësua si Dua-Lutje e jo si namaz, lutja fillon me falënderim, madhërim dhe përshëndetje Pejgamberit صلي الله عليه و سلم e jo me lexim Kur’ani, kurse fjala e Pejgamberit صلي الله عليه و سلم : لاصلاة إلا بفاتحة الكتاب”Nuk ka namaz pa leximin e Fatihas”, ولاصلاة إلابقراءة, nuk ka të bëjë me namazin e xhenazes për arsye se namazi i xhenazes nuk konsiderohet namaz me të gjitha konditat që duhet t’i ketë namazi, por është: Dua-Lutje dhe Istigfar-kërkim falje për të vdekurin.

Namazit të xhenazes përderisa i mungojnë shtyllat esenciale si: rukuja e sexhdeja atëherë si i tillë nuk mundë të konsiderohet Namaz.

Namazi i xhenazes edhe pse e kushtëzon abdesin dhe kiblen megjithatë nuk konsiderohet namaz, si shembulli i sexhdes së leximit të Kur’anit që nuk konsiderohet namaz.

Përgatiti: Ibrahim Beqiri

(Breziiri)