Profesori i medresesë, Ilmi Rexhepi, i ka dy fjalë për Skënderbeun

Ilmi Rexhepi, ligjërues i gjuhës arabe në medresën ‘Alauddin’, ka vënë theksin te thirrja për bashkim që gjendet në figurën e Skënderbeut.

Në një shkrim të afishuar në profilin e tij në Facebook, ai ka thënë se mospranimi i Skëndërbeut si figurë kombëtare nënkupton edhe kundërshtim të projektit të Rilindjes dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Për më tepër, ja se ç’thotë ai:

Dy fjalë për Skënderbeun

1.I dërguari a.s. ka thënë:

“Unë jam i dërguar, jo gënjeshtar, jam pinjoll i Abdulmutalibit!”

Abdulmutalibi nuk ka qenë mysliman e i Dërguari a.s. është krenuar me të. Pra, nuk ndalohet të krenohesh me të parët e tu, për virtytet e tyre, në shërbim të qëllimeve të mira, edhe nëse ata nuk kanë qenë myslimanë! Këtë e thonë dijetarë të fesë përfshirë dhe Ibën Tejmijen.

2. Skënderbeut, brenda shqiptarisë, nuk i jep rëndësinë që ka përkatësia e tij katolike (ndonëse ka edhe versione se ka vdekur si mysliman, bektashi, ortodoks), por fakti se merret si i pari që ka thirrur për bashkim. Pikërisht kjo që ka thirrur për bashkim e bën të parrëzueshëm.

Te figura e Skënderbeut, thirrja e tij për bashkim është thelbësore, kundërvënia ndaj turqve është aksidentale, rastësore.

Të mos e pranosh Skënderbeun për figurë kombëtare do të thotë doemos se je kundër projektit të Rilindjes dhe kundër Lidhjes së Prizrenit.
Po t’i jepte gjë vlerë brenda shqiptarisë perkatësia e tij fetare, komunizmi do ta shpërfillte.

3. Ideja për “dekonstruktimin” e figurës së Skënderbeut nuk buron nga feja, por nga albanofobia, kosovarizmi, historianët e mbimençur…

Masat fetare, po, për zbehjen e figurës së Skënderbeut janë ndikuar dhe mund të ndikohen nga:

A. Mungesa e gjallërisë së ideve kombëtare.

B. Nëse në sferën publike figura e Skënderbeut keqpërdoret duke iu kundërvënë njërës fe në favor të tjetrës, duke iu kundërvënë miqësisë me një shtet në favor të miqësisë me shtete të tjera.

 
(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply