Islamisitikë

Profecitë kuranore për të ardhmen

657views

Dr. Abdul Radhi Muhammed Abdul Mohsen

Profecitë e tilla janë të shumta, mirëpo ne do t’i shohim shembujt e mëposhtëm:

1- Profecia (parashikimi) mbi fitoren e Romakëve. Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“U mundën bizantinët. Në afërsi të tokës (Siri, Irak, Jordan dhe Palestinë), dhe ata, pas mposhtjes së tyre, me siguri do të fitojnë, brenda tri deri nëntë vjetëve. Me të vërtetë, është vendimi i Allahut, si për të parën dhe për të dytën (para disfatës së Romakëve nga Persianët, dhe pas disfatës së Persianëve nga Romakët)…” (30:2-4)

Shtatë vite më vonë kjo profeci u vërtetua, dhe Romakët i mposhtën Persianët.

2- Profecia mbi Velid bin Mugiren dhe Ebu Lehebin të cilët do të vdesin si pabesimtarë.

Allahu i Plotfuqishëm për Velidin thotë:

“Më lër Vetëm (të merrem) me atë që e krijova të vetëm (pa pasuri e fëmijë [Velid ibn Mugire el Mahzumi]). Dhe i dhashë pasuri të pamatë. E djem pranë vetes! Unë ia bëra kamjen të lehtë e të shtruar, e, megjithatë, ai lakmon që t’i jap më tepër. Jo, kurrsesi! Vërtet, ai i mohoi me kryeneçësi shpalljet Tona, prandaj Unë do ta ngarkoj atë me dënime të rënda. Ai mendoi dhe kurdisi (kundër Kuranit). Dhe qoftë mallkuar: si kurdisi! Dhe sërish qoftë mallkuar, si kurdisi! Pastaj vështroi rreth vetes, mblodhi vetullat e u vrenjt, pastaj u kthye i kapardisur dhe tha: “Ky (Kuran) nuk është gjë tjetër, veçse magji e trashëguar! Këto janë vetëm fjalë të një vdekatari!” Do ta hedh në Sekar (Xhehenem)! E si mund ta dish ti tamam se çfarë është Sekari (zjarri përvëlues)? Ai nuk lë gjë dhe nuk kursen asgjë, (të padjegur).” (74: 11-28)

Kurse për Ebu Lehebin, Ai, subhanehu ve teala, thotë:

“ Iu thafshin duart Ebu Lehebit dhe u thaftë në gjithçka! Nuk do ta ndihmojnë atë as pasuria dhe as fitimet e tjera. Ai, do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara!” (Kuran, 111: 1-3)

3- Profecia e tij për rikthimin në Meke pasi largohet për në Medine.

Allahu i Gjithëfuqishëm thotë:

“Me të vërtetë, Ai që ta ka urdhëruar ty (Muhamed) Kuranin, do të të kthejë në vendin e caktuar (në Mekë).” (Kuran, 28:85)

Dhe Pejgamberi, sal-lallahu `alejhi ve sel-lem, u rikthye në Mekë në ditën e pushtimit të saj.

4- Profecia e cila thotë se Pejgamberi s.a.v.s. dhe muslimamët do të hynë në Meke të sigurt.

“Me siguri, ju do të hyni në Xhaminë e Shenjtë, dashtë Allahu, të sigurt, (disa) kokërruar dhe (disa) flokëshkurtuar, pa kurrfarë frike.” (Kuran 48:27)

Ky parashikim u realizua dhe muslimanët e pushtuan Meken dhe hyrën në Mesxhidul Haram në siguri të plotë.

5- Profecia mbi suksesin dhe autoritetin e muslimanëve.

I Plotfuqishmi thotë:

“Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). (Kuran, 24:55)

Allahu i Plotfuqishëm e përmbushi premtimin e Tij ndaj Pejgamberit Muhamed s.a.v.s. dhe popullit të tij. Ai i bëri ata trashëgues të mbretërve të mëdhenj dhe sunduesve të fuqishëm, tokat dhe pasuritë e të cilëve u trashëguan nga muslimanët.

Përktheu: Hanifie Dauti – Alija

(Breziiri)