Princi saudian: “do të bëhemi një vend islam i moderuar”

Princi i fuqishëm i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman u zotua të rivendosë një islam të “bashkëkohor dhe të hapur” në mbretërinë e njohur për sundimin e saj ultra-konservator nga pikëpamja fetare.

“Ne po kthehemi në atë që ishim më parë, një vend islam i moderuar, i hapur për të gjitha fetë dhe ndaj gjithë botës”, tha ai në një forum të quajtur Iniciativa e Investimeve të Ardhshme, mbajtur në Riad.

Ky akt shkon me prokjektin “Vizion 2030” të qeverisë për reformën sociale dhe ekonomike, ndërsa mbretëria po përgatitet për një epokë pas naftës.

Me më shumë se gjysmën e vendit të moshës nën 25 vjeç, Princi Mohammed, arkitekti i “Vizion 2030”, shihet si nxitës i aspiratës së të rinjve për më shumë mundësi dhe nxitjen e më shumë grave në fuqinë punëtore.

Princi Mohammed, tha se Arabia Saudite “nuk do të kalojë 30 vitet e ardhshme të jetës duke u ballafaquar me ide shkatërruese”.

“Ne do t’i shkatërrojmë ata sot. Ne do t’i japim fund ekstremizmit shumë shpejt”, shtoi ai. /tesheshi.com/

Artikuj të ngjashëm: