Prerja e kurbanit për fëmijën që nuk ka hyrë në pubertet

Pyetja:

Nëse një fëmijë ka pasuri, a është i obligueshëm prindi, gjegjësisht kujdestari, që t’i therr kurban në emër të tij?

Përgjigjja:

Fillimisht të theksojmë se në çështjen se a duhet të thërret kurban për fëmijën që akoma nuk ka hyrë në moshën e pubertetit dijetarët islamë nga medhhebi hanefi i gjejmë të ndarë në dy mendime.

Sipas mendimit të parë, nëse fëmija që akoma nuk ka hyrë moshën e pubertetit, por ka pasuri të tij pesonale që arrin nisabin për therjen e kurbanit (nisabi është 200 derhem, pra nisabi i zeqatit, por që nuk kushtëzohet rrotullimi i vitit), prindërit kanë për detyrë të therrin kurban për fëmijën e tyre.

Mendimi i dytë, i cili njëkohësisht konsiderohet se është më i vërtetë dhe më i fortë, është se nëse fëmija ka pasuri të veten, prindi nuk është i obliguar të presë kurban për fëmijën e tij, e nëse pretë atëherë duhet kompensuar. Gjykohet kështu ngase, prindi apo kujdestari janë të detyruar ta ruajnë pasurinë e fëmijës që ajo të shtohet, e të mos pakohet për veprime që nuk janë detyrimore, kurse fëmija akoma nuk është në gjendje të jetë i detyruar (mukellef).  Andaj, sipas këtij mendimi jepet edhe fetvaja në medhheb.

Referenca:
1. “Redul Muhtar”, Ibn Abidin.
2. “Fikhul Muavedat”, Dr. Haxhi El-Kurdi.
3. “Kitabul fikhi ala medhahibil erbeati”, El-Xhuzejri.


Jusuf Zimeri

(Breziiri)

Artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply