Islamisitikë

Përse në çdo rekat i përsërisim fjalët “udhëzona në Rrugën e Drejtë”

940views

Njeriu ka nevojë që të kërkojë udhëzime nga Allahu i Plotfuqishëm. Nëse i Plotfuqishmi nuk e udhëzon në rrugën e drejtë, nuk është në gjendje të shkojë rrugës së udhëzimit, ai këtë nuk e di, gjithashtu nuk është në gjendje ta dallojë të mirën nga e keqja, të vërtetën nga gënjeshtra, këtë e jep vetëm Allahu i Plotfuqishëm.

Atë që Allahu e udhëzon në rrugë të drejtë s’ka kush që e humb, ndërsa kush dëshiron humbjen, s’ka udhëzues për të pos Allahut. Allahu i Gjithëdijshëm e udhëzon kë të dojë, nga mirësia dhe mëshira e Tij, ndërsa në mashtrim e lë atë të cilin Ai do, duke bërë që të realizohet përcaktimi dhe dituria e Tij nga zanafilla në lidhje me njeriun e caktuar i cili nuk don të jetë në Rrugën e drejtë. Kjo është arsyeja pse njeriu në çdo rekat duhet t’i përsëris fjalët: “Udhëzona në rrugën e drejtë!” Të jesh i udhëzuar do të thotë ta njohësh të vërtetën të cilën e ka sjellë Pejgamberi savs, të punosh në përputhje me atë të vërtetë, të luftosh që ajo të jetë mbi idetë e tjera dhe të vdesësh në atë të vërtetë.

Rruga e drejtë në të vërtetë është rruga e qartë e Allahut, ndjekja e së cilës njeriut ia siguron faljen dhe xhenetin. Atë Allahu i Gjithëdijshëm e ka shpjeguar, në të kanë bërë thirrje pejgamberët, librat e shpallura e kanë konfirmuar qëndrueshmërinë e saj, e ka pranuar natyra e njeriut, për të janë vrarë besimtarët e sinqertë, shehidët … Rruga e drejtë është një e vetme, nuk ka rrugë tjetër të drejtë, ajo është unike, andaj asnjë rrugë nuk është e ngjashme me të, është e vetmja mënyrë që njeriu të shpëtojë dhe ta arrijë sigurinë në të dy botët. Të gjitha rrugët tjera janë qorrsokakë dhe mënyra të gabuara. Ndjekja e Rrugës së drejtë mund të jetë në dy mënyra. Për një kategori njerëzish, Allahu ka dhënë udhëzime të përgjithshme, dhe ata e ndjekin të mirën duke dashur të shpëtojnë nga dënimi dhe ta fitojnë kënaqësinë e Allahut. Kurse kategoria tjetër është ajo, e cila në mënyrë të përpiktë i zbaton gjitha dispozitat islame, e investon pasurinë dhe jetën që të fitojë fjala e Allahut, gjithë jetën ia nënshtron ibadetit të Allahut, sinqerisht dhe në mënyrë të vazhdueshme kryen namazin, agjërimin, e ndanë zekatin, e kryen haxhin, pendohet tek Allahu, i frikësohet Atij dhe shpreson tek Ai, dhe gjithashtu, e praktikon Sunetin e Pejgamberit savs, dhe përpiqet që atë ta ndjekë me sjellje të bukura.

Fazat dhe shenjat e rrugës së drejtë janë shpjeguar në Kuran dhe në Hadith. Për më tepër, i gjithë misioni i pejgamberit në një formë është shpjegim shumë i mirë i asaj rruge. Krejt Shpallja, fillimi i saj dhe fundi, e trajton Rrugën e drejtë. Fjalët: “Udhëzona në rrugën e drejtë!” në fakt janë themeli i Sheriatit, një nga rregullat e imanit dhe bazë e Islamit. Për shkak të këtij ajeti, rreth kuptimit të cilit po flasim, el-Fatiha e ka domethënien të cilën e ka, andaj surja 7 ajetet e së cilës përsëriten, është pjesa kryesore e Kuranit, e mjaftueshme për të gjithë, surja e parë në Kuran, e cila duhet patjetër të lexohet në namaz, në të është bashkuar Islami, dhe ajo, me vullnetin e Allahut, është shërim i shumë sëmundjeve. Shumë njerëz janë shëruar nga prekja e shejtanit duke e lexuar suren el-Fatiha, si dhe shumë njerëz janë drejtuar në Rrugën e drejtë duke e lexuar atë.
O Allah, udhëzona në Rrugë të drejtë, në mënyrë që të dalim para Teje, duke qenë Ti i kënaqur me ne, dhe me mirësinë Tënde na vendos në xhenet!

O Zot, me të vërtetë, vetëm Ti udhëzon në Rrugën e drejtë! Aid El-Karni; /Akos.ba/

Përshtati: Miftar Ajdini