Etikë

Përgojimi (Gibeti)

1.54Kviews

Një nga pejgamberët e më parshëm, të cilëve shpallja nga Allahu ju vinte në gjumë (ëndërr), një natë ai sheh në ëndërr, këtë porosi:

“Kur të zgjohesh:

(1) gjëja e parë që e takon – atë haje,

(2) të dytën – fshihe,

(3) të tretën – pranoje,

(4) të katërtën – mos e refuzo,

(5) kurse të pestën që e takon – ti ik prej saj!”

Kur Pejgamberi zgjohet në mëngjes dhe niset për rrugë, gjëja e parë që takoi ishte një kodër e madhe. Ai i habitur ndalet dhe fillon të mendojë:

“Zoti im më ka urdhëruar që gjëja e parë me të cilën ballafaqohen ta ha … por unë nuk e di se si do ta ha atë kur është e pamundur … mirëpo, Zoti im, nuk do të më kishte urdhëruar të bëj diçka që nuk jam në gjendje … “
Atëherë ai i paluhatshëm vendosi ta hajë atë kodër dhe u nis në drejtim të saj, por sa më shumë që i afrohej, kodra gjithnjë e më shumë zvogëlohej, deri sa në fund u bë sa një grimë. Pejgamberi këtë e hëngri duke u bindur se kjo ishte më e ëmbël se mjalti, e falënderoi Allahun për këtë dhe vazhdoi tutje.

Duke shkuar më tej e gjeti një enë prej ari, kur iu kujtua se këtë duhet ta fshehë, ai e hapi një gropë në tokë, e futi aty, e mbuloi dhe vazhdoi më tutje. Kur u kthye, e pa atë enë prej ari se si doli përsëri në sipërfaqe. Ai u kthye dhe e groposi përsëri, por ajo përsëri u paraqit, dhe kështu këtë veprim e përsërit disa herë.
Pejgamberi pastaj tha me vete: “Unë e kreva atë që mu urdhërua.”

Pastaj vazhdoi tutje, pa u kthyer prapa.

Duke shkuar më tutje, e pa një zog i cili po ikte nga skifteri dhe para se ta arrinte (skifteri) ai (zogu) bërtiti:

“O i Dërguari i Allahut, më shpëto!”

Ai e pranoi zogun dhe e fshehu nën mëngë të tij, kurse skifteri i bërtiti:
“O Pejgamber! Unë jam shumë i uritur dhe sot prej mëngjesi jam duke kërkuar diçka për të ngrënë, dhe tash kur isha gati ta kapi këtë zog ti më pengove mua për ta marrë nafakën time!”

Pejgamberi mendoi: “Më është urdhëruar që gjënë e tretë që e takoj ta pranoj, dhe unë këtë e bëra, mirëpo jam urdhëruar edhe që të mos e refuzoj të katërtën, kurse e katërta është ky skifter, i cili e kërkon nafakën e tij.”
Pas një reflektimi të shkurtër, e mori thikën dhe e preu një copë mishi nga këmba e tij, atë ia hodhi skifterit, i cili e mori dhe shkoi.

Pejgamberi atëherë e lëshoi zogun dhe u nis më tutje.

Gjëja e pestë në të cilën hasi ishte njëfarë trupi i pajetë me erë të keqe që po shkatërrohej dhe kalbej, kurse ai, duke e kujtuar ëndrrën e tij, iku dhe u largua prej tij.

Kur në mbrëmje, përsëri u bë nata, ai tha:

“O Zot! Unë i bëra të gjitha ato që më urdhërove Ti, andaj tani të lutëm, ma shpjego kuptimin e atyre të gjithave?”
Në ëndërr ai dëgjoi një zë i cili i thoshte:

(1) Sa i përket të parës, atë që e ke ngrënë, ai është zemërimi, i cili në fillim duket si një bjeshkë, kurse në fund, kur njeriu duron dhe e gëlltit zemërimin e tij, duket si një kafshatë më e ëmbël se mjalti!”

(2) E dyta do të thotë: Kush bën një vepër të mirë, edhe nëse e mbulon, ajo përsëri do të dalë në dritë!

(3) E treta do të thotë: Kush të besohet, asnjëherë mos e zhgënje!

(4) E katërta do të thotë: Nëse një njeri në nevojë të kërkon diçka, përpiqu t’ia japësh, qoftë edhe nëse vetë ke nevojë për të!

(5) E pesta është përgojimi, gjithmonë ik prej njerëzve që përgojojnë të tjerët!

http://www.ikculm.de//

Përshtati: Miftar Ajdini

(Breziiri)