EtikëIslamisitikë

Përgjigju thirrjes së All-llahut, agjëro!

915views

Hfz. Mehas Alija

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.

“Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni.” (El-Bekare, 185).

Ramazani është muaji i cili njeriut i shërben më së shumti për ta rishikuar raportin e tij ndaj Allahut, ndaj vetvetes, familjes, farefisit, bashkësisë dhe ndaj shoqërisë në përgjithësi.

Muslimani këtë mundohet që ta arrijë sidomos në Ramazan, pasi që e di se, pikërisht në këtë muaj, mundësitë për t’u afruar me Allahun janë më të lehta dhe më të realizueshme, dhe se një ditë përpara Zotit do të shpalos tërë atë potencial veprash që ka kryer në këtë botë. Përmes muajit të bekuar të Ramazanit, muslimani dhe muslimaneja përjeton rilindjen shpirtërore dhe fizike.

Ramazani mund të konsiderohet si mjeku më i miri i shtëpisë, i cili vjen për të na e shëruar shpirtin me agjërim, për të na e zgjuar shpirtin me syfir, të na e gëzojë atë me iftar, të na e këndell atë me namazin e teravive, të na e zbus atë me zaqatin, të na e hap atë me anë të bisedave vëllazërore, të na e pastrojë atë nga urrejtja si dhe të na e shëroj atë nga mendjemadhësia.

Prandaj dhe sot janë të lumtur ata që do t’i përgjigjën thirrjes së Zotit, që me anë të agjërimit, të gjejnë paqen, qetësinë e rehatinë, dhe këtë duke e bëre me vetveten, familjen dhe me të tjerët. Janë të lumtur se me anë të agjërimit, besimtarët forcojnë lidhjen dhe dashurinë ndaj Zotit dhe ndaj njerëzve.

Prandaj, kemi shumë arsye që ne sot, në këto net të fundit shabani, në prag të pritjes së Ramazanit, të jemi të lumtur dhe të çliruar, pasi që është afruar shansi i madh i punëve të mira dhe të shpërblimeve të mëdha.

Se sa nderime na ka bërë Allahu i Madhërueshëm me anë të agjërimit, flet edhe rrëfimi në vijim të cilin e përcjell dijetari i shquar, hafiz Ibn Rexhebi: “Kur Musait a.s., iu dha rasti të bisedojë me Allahun, ai e pyeti Zotin: “O Zoti ynë, a ka ndonjë njeri tjetër që e ke nderuar më shumë se mua me këtë rast, pasi që unë jam duke biseduar me Ty? Allahu i është përgjigjur: “O Musa, pas teje do të vijnë njerëz, robër të Mi, të cilët do t’i nderojë më shumë se sa të kam nderuar ty tani. Tani, kur Unë po flas me ty, ndërmjet Meje dhe teje ekzistojnë 70 mijë perde, kurse, kur do të agjërojë ummeti i Muhammedit, kur t’ju thahen buzët e fytyrat kur t’ju zverdhohen, Unë, në kohën e iftarit, për to do t’i heq të gjitha perdet dhe do t’ua pranojë lutjet.” (Ibn Rexheb, Letaiful mearifu).

Të dashur vëllezër, Ramazani me të vërtetë është një muaj nderi për muslimanët. Muaji i Ramazanit i ngjan diellit që i jep dritë tokës.

Në këtë kohë materiale, me plotë errësirë shpirtërore, vjen drita e Ramazanit për të na e dritësuar jetën me shpirtin e agjërimit, me shkëndijat e Kur’anit dhe me netët plotë gjallëri fetare.