Pas arrestimeve, dijetarët sauditë mbështesin luftën kundër korrupsionit

Trupi më i lartë fetar i Arabisë Saudite, pak pas një vale arrestimesh të dhjetëra figurave publike në vend, ka përsëritur mbështetjen për mbretin saudit Salman bin Abdulaziz për të luftuar kundër korrupsionit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të shtunën, autoritetet saudite arrestuan 11 princa, katër ministra në detyrë dhe dhjetëra ish-ministra në një spastrim kundër korrupsionit. Mediat saudite raportuan se investitori miliarder, princi Alwaleed bin Talal dhe ministri i Gardës Kombëtare, princi Miteb bin Andullah, ishin ndër ata që u ndaluan në spastrim.

Arrestimet erdhën disa orë pas një komiteti kundër korrupsionit të formuar nga një dekret mbretëror, nën princin e kurorës Mohamed bin Salman.

“Lufta kundër korrupsionit diktohet nga Ligji i Sheriatit Islam dhe duhet bërë për interesin kombëtar. Lufta kundër tij është jo më pak se lufta kundër terrorizmit”, ka shkruar përmes rrjeteve sociale Këshilli i Dijetarëve të Lartë.

Autoritetet saudite ende nuk kanë dhënë asnjë prononcim për arrestimet.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve SPA, komiteti kundër korrupsionit ka autoritetin për të hetuar, arrestuar, ndaluar nga udhëtimet, zbuluar dhe ngrirë llogaritë dhe portofolet, si dhe për të ndjekur fondet dhe pasuritë e individëve të përfshirë në korrupsion.

Komiteti tashmë ka njoftuar se do të rihapë rastin e përmbytjeve të vitit 2009 në Xheda që shkaktuan mbi 100 viktima si dhe do të hetojë shpërthimin e virusit Corona në vitin 2012, i njohur gjithashtu si “sindroma e frymëmarrjes” në Lindjen e Mesme.

Artikuj të ngjashëm: