Globus

Papa Françesku përdor për herë të parë fjalën “Rohingya”

Papa Françesku , i cili ka vizituar Bangladeshin ka përdorur për herë të parë fjalën “Rohingya”, i cili është emri etnik i muslimanëve të Arakanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në vizitën e tij në Mianmar ishte distancuar të përdorte fjalën “Rohingya”, por gjatë një takimi me 16 refugjatë muslimanë të Arakanit në Dhaka të Bangladeshit Papa ka përdorur për herë të parë fjalën “Rohingya”.

Papa Françesku dëgjoi tregimet e tyre përmes një përkthyesi. Kreu i Vatikanit ka kërkuar falje për “indiferencën e botës” përballë situatës së vështirë në të cilën ndodhen muslimanët e Arakanit. “Ndoshta nuk mund të bëjmë shumë për ju, por tragjedia juaj ka një vend në zemrat tona. Ju kanë lënduar dhe më e rëndësishmja unë kërkoj falje për indiferencën e botës”, është shprehur Papa.

Gjatë vizitës së tij në Mianmar, Papa Françesku u distancua nga përdorimi i fjalës “Rohingya” si emri etnik i muslimanëve të Arakanit, dhe në vend të saj preferoi të zgjidhte shprehjen “refugjatë nga krahinat e Arakanit”.

Spastrimi etnik kundër muslimanëve të Arakanit

Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti e deri më tani si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pretendon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjet dhe daljet në rajon.

Gjatë sulmeve të ushtrisë së Mianmarit të cilat janë shndërruar në një spastrim etnik janë djegur ose shkatërruar rreth 300 fshatra nga ushtria dhe budistët radikalë, si dhe mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit janë larguar në Bangladesh nëpërmjet rrugëve malore, detare apo të lumenjve.